E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S’do ketë ndryshime kushtetuese, PS të hartojë statutin e saj

28-07-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha i përgjigjet dhe njëherë negativisht tendencës së Partisë Socialiste për ndryshime kushtetuese, e cila e kushtëzon këtë me dhënien e konsensusit në reforma dhe dialog në parlament. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh sot gjatë një konference për shtyp se PS bën mirë të merret me statutin e saj, pasi siç tha ai, ndryshimet kushtetuese janë të pamundura. Berisha shkoi edhe më tej kur tha se përmes ndryshimeve kushtetuese opozita kërkon presidentin, pavarësisht se aktualisht e ka në "xhep" atë. Sipas kryeministrit këtë e tregoi vota e kreut të shtetit për Edi Ramën.


Shefi i ekzekutivit iu përgjigj më tej interesimit të përfaqësuesve të medias për disa prej çështjeve kryesore politike në vend.


Zoti Berisha: Ditët e fundit kemi parë, sikundër ka deklaruar edhe z. Rama pas humbjes në zgjedhjet lokale, të artikulohet shpesh herë një çështje që duket sikur ai e ka vënë edhe si kusht për hyrjen e opozitës në parlament, atë të ndryshimeve kushtetuese. Në fakt, flitet për një grup juristësh që është ngritur brenda selisë rozë. Sa do të jeni ju i gatshëm të ndërhyni sërish në ligjin themeltar të shtetit, në rast se zoti Rama do t’ua vendos këtë si kusht për mbarëvajtjen e dialogut politik në parlament?


Ajo që unë do t’i këshilloja ish Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së dhe ish Presidentit të Republikës z.Mejdani, ish Gjeneral Moisiut, ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtar i kryesisë së PS-së, z. Mark Abdia, ish deshendentin direkt të diktatorit Hoxha dhe me radhë, që të merren me statusin e Partisë Socialiste, meqenëse kanë vendosur të konsumojnë muajin gusht me problematika. Pra, unë mendoj se do të ishte ndihma më e madhe që këta zotërinj mund t’i japin partisë së tyre. Kjo ishte përgjigjja ime për këtë proces për të cilin ju pyetët.


Fundjavën e kaluar keni mbledhur Këshillin Kombëtar të PD-së, ndërkohë që nuk janë zgjedhur ende strukturat e saj të rëndësishme si postet e nënkryetarëve dhe Sekretari i Përgjithshëm. Përse është shtyrë kjo zgjedhje?. Mos ndoshta ka debate edhe brenda PD-së?


Partia Demokratike ka pasur, ka dhe do të ketë gjithnjë debat të hapur dhe garë të garantuar. Sapo të mbyllen përfundimisht këto zgjedhje që është data 31 në mos gaboj dhe, sapo të rikthehen edhe njerëzit me pushime, sepse njerëzit janë me pushime sepse është kohë pushimesh, do të mblidhet kryesia, do të mblidhet sërish Këshilli Kombëtar dhe do të procedohet me të gjitha zgjedhjet e strukturave. Debate ka dhe duhet të ketë, është normale. PD është një parti demokratike, që do të thonë definicion i mendimit të lirë.


Zoti Kryeministër, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ju u shprehët se përveç reformës zgjedhore që është pjesë e paketës që ju i ofroni opozitës, do të ketë edhe oferta të reja për PS-në. A do të jetë pjesë e kësaj oferte edhe zgjedhja e një presidenti konsensual në vitin 2012?


Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Unë nuk e bëj këtë për interesin e mazhorancës apo të qeverisë, por e bëj këtë për interesin jetik të çdo qytetari shqiptar, respektimi i Kushtetutës së vendit. Ju e shihni se z. Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan. Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë. Sepse në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni; kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta. Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta. Këta që pendohen bëjnë mirë që pendohen, por kur të takon shumë herë të pendohesh, kthehesh në pendesë. Duhet ta kuptojmë këtë.


Që ta kuptojmë më qartë: nuk ka vend për ndryshime kushtetuese?


Këtu u fol konkretisht për Presidentin e Republikës. Unë u përgjigja se Presidenti i Republikës do të zgjidhet tërësisht në përputhje me Kushtetutën. Dhe kjo nuk është absolutisht në interes tim apo në interes të qeverisë, por është tërësisht në interesin e rendit kushtetues dhe të qytetarëve. Të kërkosh ndryshime kushtetuese sepse do ta fusësh presidentin gjysmë në xhep, ndërkohë që e ke në xhep plotësisht dhe nuk të dha asgjë, më thoni ju lutem, sa racionale është kjo?. Gjërat duhet të kenë thelbin e arsyes. Çfarë i dha atij Presidenti? 140 mijë vota më pak, me gjithë votën e tij “pro”.


Fakti që zoti Basha ishte ndër më të votuarit në kryesinë e re të PD-së, ka lënë hapësirë për zëra se ai mund të marrë detyrë e nënkryetarit të PD-së. Në një rast të tillë, a do të kishte ai mbështetjen tuaj?


Partia Demokratike është një parti e hapur dhe postet e saj, përfshi edhe postin e kryetarit, në Kongres, janë të hapur për të gjithë anëtarët e vet. Por, dua të jem i sinqertë me ju. Me sa po kuptoj unë, preokupimi më kryesor i kryetarit të Bashkisë janë qytetarët e Tiranës.  Më thonë se ai dhe drekën e ha në zyrën e tij, pasi dëshiron që t’i përkushtohet tërësisht Tiranës. Por ai i ka të hapura të gjitha opsionet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›