LSI i përgjigjet Ramës: Kurrë në koalicion me PS-në

Manjani: Rama kërkoi 2 vjet më parë të linte vendin pa qeveri
Lëvizja Socialiste për Integrim i përgjigjet prerazi “Jo” qasjes së Partisë Socialiste, me tendencë ri-lidhjen e koalicionit mes tyre. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani reagoi sot ndaj komenteve të bëra nga deputeti socialist Besnik Bare, lidhur me një aleancë të mundshme mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Partia e zotit Bare dhe partia e zotit Rama, mund të mos jenë e njëjta gjë, pavarësisht se zoti Bare në formulimin e tij duket se ka ende mllef ndaj LSI-së. Çështjet e koalicionesh nuk janë çështje të vullneteve individuale, nuk janë çështje vullnetesh të njërit apo tjetrit, siç mendon kryetari i partisë së Ramës apo kryetari i partisë së Bares. Çështjet e koalicioneve janë çështje të ngjizjes programore, janë çështje të ngjizjes së interesave jo politike, detyrimisht por ngjizjes së interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve në raport me interesat e integrimit”- u shpreh Manjani. Ai garantoi se “LSI është e pozicionuar qartësisht në funksion të stabilitetit politik dhe demokratik në vend, kjo është e para dhe e panegociueshme si çështje. Manjani vuri në dukje se propozimi i zotit Rama në vitin 2009-ë ka qenë që, të lëmë vendin pa qeveri, me qëllim bërjen e koalicionit PS-LSI dhe sipasojë e kësaj marrëveshje parlamenti të fragmentarizohej mes dy grupeve të mëdha, për të ndëshkuar përfundimisht Shqipërinë dhe ambicien e shqiptarëve për integrimin Evropian. “Dy vjet më parë zoti Rama Kërkoi të bëhej aleanca PS – LSI, por Shqipëria të mos kishte qeveri. Rama kërkonte ndarjen e parlamentit proporcionalisht në mënyrë të barabartë 70 me 70 dhe aty të bëhej gallatë. Tani, përpara stabilitetit demokratik dhe qeverisës, nuk ka negociata. Rama le të mbetet aty”- deklaroi më tej Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani.
Reagimi i përfaqësuesit të LSI vjen pas deklaratave të socialistit Besnik Bare, i cili është shprehur se PS nuk fiton asnjë betejë zgjedhore pa LSI-në dhe domosdoshmërisht lind nevoja për lidhjen e koalicionit mes këtyre dy forcave politike.