E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi, vritet një shqiptar në Mitrovicë

Shpërthimi i mjetit eksplodues në veri të Mitrovicës, në orët e para të së dielës, ka marrë jetën e një personi, S. Haradinaj, me përkatësi shqiptare, njoftojnë zyrtarët e Policisë së rajonit të Mitrovicës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e lirë se rasti ka ndodhur rreth orës 01, pas mesnatës, në rrugën Kolashini, përkatësisht në zonën e Tre rrokaqiejve, ku shtëpia e familjes Haradinaj ishte cak i sulmit, të autorëve ende të panjohur për policinë.

Një 38-vjeçar, i përkatësisë etnike shqiptare, e ka humbur jetën, si rezultat i sulmit me mjet eksplodues në banesën e tij në veri të Mitrovicës, përkatësisht në zonën e Tre rrokaqiejve, zonë e banuar me popullatë të përzier. Rasti është regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja fatale. Ndërsa, besohet se mjeti eksplodues të jetë një sasi e eksplozivit plastik, një bombë artizanale, me sasi të 500 gram të eksplozivit plastik, e cila është vendosur. Më pas është aktivizuar me fitil ngadalë-ndezës, të vendosur në parmakët e dritares së katit përdhes të familjes Haradinaj, ka konfirmuar zëdhënësi Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Në kohën e shpërthimit, në shtëpinë e familjes Haradinaj kanë qenë 5 anëtarë dhe më pas, bashkëshortja dhe katër fëmijët e viktimës janë dërguar në spitalin e Mitrovicës me lëndime të lehta, ku edhe janë trajtuar.

Zëdhënësi i Policisë, Hoti, ka theksuar se dëmet nga shpërthimi në shtëpinë e familjes Haradinaj, kanë mundur të jenë shumë më të mëdha, për shkak të sasisë së eksplozivit, por dritaret në shtëpinë, e cila ka qenë cak i sulmit, kanë qenë të blinduara.

Gjithsesi, mënyra, metoda dhe sasia e këtij lloji të eksplozivit që është përdorur, konsiderohet nga ekspertët e Njësisë për identifikim të mjeteve shpërthyese, si sasi e madhe, për të shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke marrë parasysh që xhamat, dritaret e kësaj shtëpie ishin të blinduara, faktikisht të mbyllura, të mbuluara. Të njëjtat janë shkatërruar ose demoluar tërësisht, marrë parasysh fuqinë e shpërthimit, si dhe disa automjete përreth, të cilat kanë qenë të parkuara afër ndërtesës, ka theksuar Hoti.

Ai ka thënë se motivet dhe shkaktarët e sulmit ende nuk dihen, por policia është duke hetuar.

Hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës nga sektori i krimeve të rënda, janë duke e hulumtuar shkaktarin, rrethanat, shkaqet, motivet dhe të gjitha këto, të cilat deri më tash janë të panjohura, ashtu siç janë të panjohur edhe të dyshuarit ose kryesit e këtij akti kriminal. Në këtë fazë, marrë parasysh ndjeshmërinë e këtij rasti, sigurisht që nuk dëshirojmë që të spekulojmë, derisa nuk i arrijmë informacionet bazë, të cilat mund të lidhen me gjendjen faktike apo informacione, që mund të na japin fakte për të besuar në çfarëdo lloj piste të hulumtimeve. Mirëpo, gjithsesi që nuk përjashtohet mundësia e motivit të paragjykimit mbi baza të urrejtjes etnike, ka sqaruar Hoti.

Ndryshe, zyrtarët e Policisë së Kosovës , kanë njoftuar se anëtarët e familjes Haradinaj janë larguar nga shtëpia, e cila është sulmuar. Ndërkohë, sipas tyre, sulmi kriminal mbi shtëpinë dhe familjen Haradinaj, ka shkaktuar indinjatë të thellë , frikë dhe pasiguri te banorët shqiptarë që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës. /REL/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›