Berisha-Shaheen: Në paqe me opozitën, do heqim imunitetin

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në SHBA, u takua në Washington DC me Senatoren Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për çështjet Evropiane.
Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Senatorja Shaheen vlerësoi reformat dhe progresin e bërë nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe dhe rolin e saj për paqen prosperitetin e sigurinë në rajon.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha e njohu Senatoren Shaheen me zhvillimet aktuale politike ne Shqiperi. Kryeministri theksoi se opozita tashmë ishte prezentë në Parlament dhe problemet e vitit të kaluar ishin tejkaluar. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se tashmë ekziston vullneti i forcave politike për heqjen e imunitetit për të gjithë zyrtarët në Shqipëri, për akuza të lidhura me korrupsionin dhe krimin e zakonshëm.
Ndër të tjera Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zhvillimit dhe të arritjeve të vendit në fusha të rëndësishme, si atë ekonomike, fushën e arsimit, mjekësisë, ndërtimit te infrastrukturave te rëndësishme, etj. Në takim u diskutua mbi potencialet e mëdha që ofron Shqipëria, në shumë fusha dhe u rikonfirmua vendosmëria për të nxitur investitorët e rëndësishëm amerikane që të zhvillojnë investimet e tyre në Shqipëri.