E prezanton Oketa, nesër merr jetë partia e Topit

Deputeti Gazmend Oketa do ti japë nesër për herë të parë jetë aktivitetit politik të partisë së kryetarit të premtuar Bamir Topi.
I larguar pak muaj më parë nga PD, Oketa do të shfaqet para mediave për të prezantuar zyrtarisht datën kur forca e re politike do të regjistrohet në gjykatë dhe më pas do ti shpallet publikut të gjerë.
Gjasat janë që publikimi i të gjithë elementëve simbolikë që do të përdoren, si flamujt, posterat, dhe spotet televizive të bëhen gjatë 15 ditëshit të parë të majit, ndërkohë që po i jepet dora e fundit elementëve të stemës dhe emrit të partisë.
Sipas burimve brenda grupit nismëtar emri është pothuajse i përcaktuar dhe do të quhet “Fryma e Re Demokratike”.
Megjithatë kjo ende nuk është saktësuar zyrtarisht nga themeluesit e kësaj partie, të cilët deri në momentin kur do të mblidhet kongresi i parë do të gunksionojë me një grup drejtues, pa kryetar, në pritje përfundimit të mandatit presidencial të Bamir Topit.
Grupi themelues i partisë së re të së djathtës ka përfunduar platformën politike, statutin e partisë, dhe ngritjen e strukturave.
Nga ana jetër, në selinë e partisë, e cila do të zërë vend pranë “Pallatit të Kasmëve” kanë përfunduar të gjitha punimet dhe gjithcka është gati për të pritur drejtuesit e ri të partisë.