Dorëheqja e Premçit, Rama: Këmbanë alarmi
Një kambanë të fuqishme alarmi, e ka cilësuar kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dorëheqjen dhe qëndrimin publik të drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Shemsi Premçi, të cilën e ka përshëndetur me anë të një deklaratë për shtyp.
Është një alarm që duhet ta dëgjojë Prokurorja e Përgjithshme, e cila prej kohësh heton mbi një ministër që në thyerje të Kushtetutës e të ligjeve të vendit ka anashkaluar parlamentin dhe i ka shtruar rrugën gllabëruesve të pasurisë kombëtare, me pasoja tragjedi pas tragjedish në familjet e zakonshme të minatorëve të Bulqizës. Është një alarm që duhet ta dëgjojnë të gjithë policët dhe drejtuesit e ndershëm të Policisë së Shtetit, të cilët ndeshen përditë, njësoj siç është ndeshur deri dje edhe drejtuesi i lartë Shemsi Premçi, me murin e shurdhët që mbron kusarët e mëdhenj të këtij vendi nga ndëshkimi i ligjit, por edhe me kërcënime për bukën e gojës përballë përpjekjeve të tyre për ti shërbyer me ndershmëri e dinjitet shtetit e ligjit.Është një alarm që duhet ta dëgjojnë të gjithë të punësuarit e këtij shteti të cilëve ju ka shkuar në palcë thika e padrejtësisë së kthyer në sistem dhe ju bëhet përditë e më e pamundur jetesa me punë të ndershme e me liritë e të drejtat kushtetuese që ju mohohen për një copë bukë. Është një alarm që duhet ta dëgjojë e gjithë shoqëria shqiptare që po tërhiqet zvarrë në rrugën e rrënimit të mëtejshëm nga pushteti i padrejtësisë dhe korrupsionit të pandalshëm. Por, është edhe një alarm për miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, për të kuptuar më mirë se hendeku mes asaj çka shkruhet nëpër ligje përmes atyre që quhen reforma dhe çfarë ndodh në realitetin e përditshëm të shqiptarëve po shkon duke u zgjeruar frikshëm dita ditës në kurriz dhe në dëm të shqiptarëve.- tha Rama.
Rama shtoi se, Partia Socialiste do të avzhdojë të zbardhë në parlament, krimin shtetëror që ka kapur për fyti Bulqizën, dhe ka kthyer minatorët në skllevër.
Premçi: Iki se nuk më mbështetën eprorët
Në një përpjekje për ta paraqitur largimin nga detyra si dorëheqje dhe jo si ndëshkim, mëngjesin e djeshëm Shemsi Premçi u shfaq para mediave dhe tha se ka dorëzuar dorëheqjen nga posti i drejtorit të Policisë së Dibrës. Premçi pretendoi se ka dhënë dorëheqjen, siç tha ai, i detyruar nga veprimet arbitrare të drejtorit të Policisë së Shtetit, i cili më ka pezulluar nga detyra jap dorëheqjen nga drejtori i Policisë së Dibrës, është shprehur Premçi. Argumentet e tij të dorëheqjes, që i lidh me denoncimet e vazhdueshme të aktiviteteve kriminale në zonën që mbulon Drejtoria që ai drejtonte, për të cilat akuzon eprorët që nuk e kanë mbështetur në këtë iniciativë. Kam denoncuar në mënyrë ritmike krimin, e kam luftuar me përkushtim, por nuk kam gjetur mbështetjen e eprorëve. Në vazhdimësi kam denoncuar vjedhje dhe falsifikim të pasurisë publike, por jam ndjerë i braktisur nga eprorët e mi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është katandisur në një njeri që mban vetëm çelësat e kashtës, u shpreh dje Premçi. Premçi e lidhi dorëheqjen e tij me luftën nga mafia e kromit, ndërsa bizneset e ligjshme të kromit janë ankuar pranë strukturave të Policisë së Shtetit dhe Task-Forcës, për veprimet arbitrare, selektive dhe të pa justifikuara nga ana e drejtorit të Policisë së Dibrës.