Reforma Zgjedhore, Parlamenti e shtyn me 2 javë

Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri
Parlamenti ka votuar pro zgjatjes së mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore edhe për dy javë.
Në një votim me 120 vota pro, Parlamenti miratoi propozimin e dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri i PS-së dhe Ilir Rusmali i PD-së, për ta shtyrë afatin nga 30 prilli deri më 15 maj.
Me gjithë angazhimin publik të të dyja forcave politike për të përfunduar në kohë reformën zgjedhore, rëndësia e kapitujve të fundit u ka marrë shumë kohë ekspertëve të PD-së dhe PS-së. Dy ditë më parë, në mbledhjen e fundit të Komisionit, u miratua kapitulli për vendosjen e lexuesve elektronikë të kartave të identitetit, i cili ishte një prej kushteve të Partisë Socialiste.
Në planin e punës së Komisionit ishin dhjetë kapitujt që duhet të amendoheshin, duke pasur parasysh rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe atyre të vitit 2011. Deri tani ka përfunduar puna me gjashtë kapituj.