Berisha: Shkarkimet nga HEC-et katërfishuan sipërfaqen e përmbytur

Kryeqeveritari
Për herë të parë pas rreth 40 vjetësh, Buna ka dalë mbi urën që lidh Shkodrën me fshatrat. Kryeministri pa sesi po përballej me përmbytjet serioze Shkodra, mbështetëse e përhershme e Partisë së tij Demokratike në nivel qendror dhe vendor
Denion Ndrenika
Kryeministri Sali Berisha tha dje, se është i domosdoshëm largimi sa më i shpejtë i banorëve nga zonat me rrezik të lartë përmbytjeje. Ai pranoi se shkarkimet e ujit të liqeneve të hidrocentraleve kanë shtuar sipërfaqet e përmbytura në tri ditët e fundit
Për herë të parë pas rreth 40 vjetësh, Buna ka dalë mbi urën që lidh Shkodrën me fshatra përreth. Për shkak se lumi Buna është fryrë së tepërmi nga prurjet e mëdha të ujit, po ashtu edhe lumi Drin, katër lagje të Shkodrës u raportua se janë thuajse tërësisht të përmbytura, përkatësisht (lagjet) “Bahçallëk”, “Ajasëm”, “Xhabije” dhe “Livadhe”. Por edhe pjesa hyrëse e qytetit në //////Harkun e Bërdicës është thuajse e gjitha nën ujë. Kryeministri pa sesi po përballej me përmbytjet serioze Shkodra, qendër e përhershme mbështetëse e Partisë së tij Demokratike në nivel qendror dhe vendor. “Shqetësimi më i madh është ruajtja e jetës së njerëzve, ndaj duhet të kryhet evakuimi që të mos ketë asnjë rrezik”-tha kryeministri në Shkodër ku qëndroi rreth mesditës për të vëzhguar gjendjen. Ai u premtoi gjatë gjithashtu dëmshpërblim të plotë banorëve të “Bahçallëkut”, me të cilët bisedoi përpara se të dëgjonte raportimin në prefekturë të drejtuesit të Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha. “Qeveria është e vendosur që, sapo të kapërcejmë këtë moment, të ulemi, ta vlerësojmë dëmin bashkërisht me ju dhe ta kompensojmë atë plotësisht. Por jetët e njerëzve janë gjëja më e çmuar, pastaj vjen gjëja e gjallë, që sigurisht është jashtëzakonisht e rëndësishme për jetën e banorëve”, - tha Berisha edhe në Bushat, ku gjithashtu ka përmbytje. “Dua t’’ju bëj thirrje atyre që të largohen nga çdo banesë në rrezik. Dua t’i siguroj se qëllimi ynë kryesor është jeta e njerëzve, shëndeti i tyre, pastaj të tjerat ne do t’i kompensojmë”, - vijoi ai. Berisha përsëriti se ka një rëndësi të jashtëzakonshme që popullata të evakuohet, ndaj shtoi se “unë këmbëngul për këtë, pasi nivelet e ujit janë rritur dhe po rriten”, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e banorëve për t’u evakuuar. Ai tha gjithashtu, se duhen ndihmuar edhe familjet që kanë pritur të përmbyturit. “Të evakuohemi një minutë e më parë. Kjo është kërkesa ime si kryeministër, si qeveri, por duhet ta dini se kjo është kërkesa e çdo shqiptari në Shqipëri dhe kudo që ndodhen. Sot, mendjet dhe zemrat e shqiptarëve janë të drejtuara te këto familje të përmbytura”, - ritheksoi kryeministri. Berisha siguroi se nuk do të ketë probleme nga përmbytjet në qytetin e Shkodrës, ndonëse pohoi se shqetësuese mbetet gjendja në periferi, në brigjet e lumit Drin dhe Bunë. Ai tha se brenda tri ditëve është katërfishuar sipërfaqja e përmbytur pas shkarkimeve të ujit nga hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin. Sipas Berishës, gjendja mbetet e rëndë, por po sipas tij, ajo është nën kontroll. Ai shtoi se menaxhimi i digave të hidrocentraleve, shkarkimi i ujit të liqeneve dhe gjendja në terren ka qenë efikas. “Gjithçka është nën kontroll, por shkarkimi është i domosdoshëm. Me këto shkarkime që bëjmë ne ruajmë digat dhe premtojmë kompensim për të dëmtuarit deri në qindarkën e fundit”, - tha ai, ndërsa shtoi se “shkarkimet do të vazhdojnë”. Berisha tha po ashtu, se duhet të përballen me ligjin personat që përhapën (sipas tij), panik me zërat për përmbytjen e Shkodrës dhe pasigurinë e digave të HEC-eve. Kryeministri shpreh se duhet parë mundësia për të ndërhyrë në shtratin e lumit Bunë, sepse sipas tij, kjo do ta lehtësonte gjendjen. Ai shtoi se do të bisedohet me Malin e Zi për këtë ide. Mali i Zi sakaq, është përfshirë nga përmbytje të vogla në anën tjetër të liqenit të Shkodrës.