E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Katastrofa, arsye madhore për largimin e Berishës

 
Kreu socialist thotë se opozita është angazhuar për të ndihmuar shqiptarët e Shkodrës, pavarësisht bindjeve. “Veriun nuk po e përmbyt Zoti, por keqqeverisja”
 
Kreshnik KUçAJ
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, hodhi poshtë dje të gjitha akuzat e mazhorancës, se opozita po e përdor politikisht situatën e përmbytjeve në Shkodër. Kreu socialist tha se shpifjet e mazhorancës nuk ndikojnë në zbehjen e kontributit që opozita po jep për familjet e përmbytura. “Opozita po u shërben familjeve të përmbytura dhe nderit të vendit, duke ndërtuar rrjet solidariteti njerëzor në gjithë Shqipërinë e jashtë saj. Por edhe duke thënë të vërteta, të cilat nuk mund të mbyten dot, as me shpifje e as me sharje ndaj opozitës, as me “marrinat” e spikeres Jozefinë e tellallëve të Pinokut kryeministër dhe as me ekrane e gazeta që i shërbejnë pushtetit pinok. Veriun nuk po e përmbyt Zoti, por robi. Gojët e shthurura të Sali Berishës na akuzojnë paturpësisht se bëjmë politikë me fatkeqësinë. Jo, politikë me fatkeqësinë kanë bërë gjithnjë ata kur ishin në opozitë dhe përdornin kufomat për të çarë derën e Kryeministrisë e vënë flakën në institucionet e shtetit, për të ndezur qirinj morti në parlament e lëshuar rrufe mllefi ndaj atyre që qeverisnin, për të parë pas çdo fatkeqësie një rast për dhunë, për destabilizim, për nxitje të urrejtjes ndaj nesh, e madje, më keq akoma, të dasisë Veri-Jug. Ne bëjmë politikë me vetëdije se, pavarësisht bindjeve, jemi një popull, një vend”, tha Rama. Kreu socialist tha se forca e tij politike ka marrë një angazhim serioz dhe është sensibilizuar në shërbim të familjeve të përmbytura dhe për këtë kujtoi faktin se është ngritur edhe një shtab emergjence, i cili po punon për kapërcimin e situatës në Shkodër. Rama garantoi se Partia Socialiste nuk do të reshtë së punuari çdo ditë me të gjitha forcat, për t’u qenë pranë familjeve të përmbytura deri ditën kur jeta e tyre t’i kthehet normalitetit. “Shtabi jonë i emergjencës, ku bëjnë pjesë të gjithë deputetët e të gjithë qarqeve, njësitë e pushtetit vendor, janë organizuar për solidaritetin njerëzor, ashtu si të gjitha strukturat e Partisë Socialiste. Ky është solidariteti ynë, me njerëzit e prerë në besë nga qeveria”, tha Rama, duke shtuar se para interesave politike, vendosen hallet e njerëzve. Po ashtu, Rama i kërkoi publikisht Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që të mos qëndrojë “e fjetur” para kësaj katastrofe, për të cilën tha se e shkaktoi keqqeverisja e Sali Berishës. “Zonja Prokurore e Përgjithshme, ne ju kemi mbështetur e do t’ju mbështesim në kryerjen e detyrimeve tuaja kushtetuese, por sot duam të dimë se çfarë duhet të ndodhë ende në Shqipëri, që prokuroria të shfaqet në vendngjarje e të nisë hetimin për dëme kolosale të pasurisë publike e private njerëzish, me liri e të drejta kushtetuese?” - tha Rama. Duke iu drejtuar direkt kryeministrit Sali Berisha, kreu socialist i tha se nuk do të ketë asnjë mundësi për të larguar përgjegjësitë që ka nga katastrofa që ka ndodhur në Shkodër. Rama tha se menjëherë pas kapërcimit të emergjencës, Partia Socialiste së bashku me aleatët do të kërkojë menjëherë largimin e kryeministrit Sali Berisha, ku përveç mungesës së transparencës zgjedhore, përmbytjet janë një arsye tjetër e fortë për largimin e tij.
 
 
Përmbytjet, Topi takon Hoxhën
Zgjerimi i zonave të përmbytura dhe mundësia e shtimit të prurjeve, për shkak të motit, e “ka detyruar” presidentin Bamir Topi që të fillojë konsultimet me ekspertët. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme, në orën 11:00, kreu i shtetit do të takohet me profesor Fahrudin Hoxha, projektuesin e digave të hidrocentraleve, me të cilin do të diskutojë për situatat e përmbytjeve. Ndërkohë, burimet nuk konfirmojnë akoma nëse ky takim i presidentit Bamir Topi është një sinjal për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, edhe pse kjo nuk përjashtohet si mundësi.
 
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›