E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasil Bollano nuk lejon Kserën të përshëndesë


 
Thellohet ndarja mes drejtuesve të lartë të organizatës së minoritetit grek në Shqipëri. Ministri i Punës dhe çështjeve Sociale i “padëshiruar”, pas bashkimit me partinë e kryeministrit Berisha
 
 
Ceremonia
Ditën e diel në fshatin Dervician, të komunës Dropulli i Poshtëm, në rrethin e Gjirokastrës është zhvilluar ceremonia e 19 vjetorit të krijimit të organizatës së minoritetit grek OMONIA (Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek), në të cilën ka marrë pjesë edhe ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios
 
 
 
Bledar Shehu
Gjirokastër – Ndarja në gjirin e organizatës së minoritetit grek në Shqipëri OMONIA, ka gjetur rastin për t’u evidentuar sërish në aktivitetin e organizuar për përkujtimin e ditës së themelimit të saj. Ditën e diel në fshatin Dervician, të komunës Dropulli i Poshtëm, në rrethin e Gjirokastrës është zhvilluar ceremonia e 19 vjetorit të krijimit të organizatës së minoritetit grek OMONIA (Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek).
Krahas emrave të të njohur në jetën politike të minoritetit grek si Vangjel Dule, Spiro Ksera etj i pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe ambasadori grek në Tiranë Nikolaos Pazios, diplomatë grekë etj. Gjatë fjalimeve përshëndetëse të mbajtura në këtë ceremoni prej Vangjel Dule, Vasil Bollano etj kanë bërë një vështrim retrospektiv të aktivitetit të kësaj organizate gjatë jetës së saj politike. Mes të tjerash ata kanë pranuar se në disa raste nga kjo organizatë janë bërë edhe gabime përsa i përket pozicionimit në jetën dhe veprimtarinë politike.
Ndërkohë gjatë këtij aktiviteti Vasil Bollano në cilësinë e kreut të përgjithshëm të OMONIA-s nuk ka lejuar një ndër emrat e jetës politike të minoritetit grek, Spiro Kserën që të mbajë fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni. Megjithëse nuk ka pasur një shpjegim zyrtar lidhur me këtë veprim, duket se Ksera është shpallur tashmë “i padëshiruar” nga drejtuesit e OMONIA-s, pas bashkimit të tij me Partinë Demokratike.
Ndarja mes liderëve të minoritetit grek në Shqipëri, përkatësisht drejtuesve të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, por edhe atyre të organizatës OMONIA nisi me afrimin e fushatës elektorale për zgjedhte parlamentare të vitit të kaluar. Kryetari i PBDNJ-së, Vasil Dule dhe kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano, zgjodhën që të bashkoheshin në këto zgjedhje me koalicionin e majtë të Partisë Socialiste, ndërsa Spiro Ksera që në atë kohë ishte prefekt i Gjirokastrës preferoi të lidhje me koalicionin e PD-së. Ai madje u përfshi në listat zgjedhore të kësaj partie, së bashku me ish ministrin e Punës, Kosta Barka. Kjo bëri që votat e minoritetit grek të ndaheshin mes dy koalicioneve duke bërë që PBDNJ, e njohur si përfaqësuesja direkte e këtij minoriteti të merrte vetëm një mandat në parlamentin e ri. Drejtuesi e PBDNJ, përjashtuan nga partia Kserën dhe të gjithë mbështetësit e tij, që jo vetëm kundërshtuan vendimin politik të partisë por edhe bërë fushatë elektorale kundër saj. Por duket se qëndrimi ndaj Kserës, i cili pas zgjedhjeve u përfshi në kabinetin qeveritar të Berishës e madje në zgjedhjet e fundi në partinë Demokratike arriti të bëhej edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, jo vetëm që nuk u zbut, por u reflektua edhe në radhët e OMONIA-s, ku bllokimi i djeshëm duket se i ka hapur rrugën “përjashtimit” të tij nga kjo organizatë.
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›