E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama në Shkodër: Katastrofa mund të shmangej, e shkaktoi keqqeverisja e jo natyra

 
Kreu i opozitës garanton banorët e përmbytur, se do të nxirren plotësisht përgjegjësitë për ngjarjen. “Kjo që ndodhi, është një arsye më shumë për largimin e Berishës”, tha Rama
 

 
Kreshnik KUçAJ

Partia Socialiste ka ngritur një shtab paralel emergjence për t’u ardhur në ndihmë konkrete banorëve të përmbytur të Shkodrës. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vëzhgoi dje situatën në Shkodër, ku banesat ndodhen të përmbytura nga uji, ndërsa u bëri apel të gjithë shqiptarëve që të japin një kontribut sado të vogël për familjet e përmbytura. Gjatë inspektimit të djeshëm, Rama garantoi banorët në këmbënguljen e forcës së tij politike, deri në nxjerrjen e plotë të përgjegjësive. “Inspektuam zonat e përmbytura dhe vumë re se banorët janë mes ujit e në qiell të hapur. Kemi ngritur një shtab, i cili do të funksionojë këtu, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur. Siç shihet, kjo përmbytje nuk është rrjedhojë e një katastrofe natyrore. Kjo situatë fare mirë mund të shmangej dhe prurjet mund të ishin kontrolluar. Por nuk u krye menaxhim i mirë. Partia Socialiste do të insistojë për nxjerrjen e përgjegjësve”, tha Rama. Duke u bërë ftesë të gjithë shqiptarëve që të solidarizohen duke dhënë kontribut financiar, Rama iu drejtua veçanërisht emigrantëve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit dhe që kanë më shumë mundësi për të dhënë kontribut. Kreu socialist hodhi poshtë të gjitha akuzat e Partisë Demokratike dhe të kryeministrit Sali Berisha, të cilët deklaruan dje, se opozita ka përhapur panik për shpërthimin e digave. “Një gjë është e sigurt, se opozita nuk ka hapur panik, por fatkeqësisht vendi ka një kryeministër që gënjen. Vazhdoj të theksoj, se duhet të krijohet një rrjet kombëtar solidariteti. Katastrofa në veri nuk është natyrore, por si rrjedhojë e korrupsionit të qeverisë. Kjo që ndodhi, është një arsye më shumë për largimin e Sali Berishës”, tha Rama nga Shkodra. Në vizitën e djeshme në Shkodër, Rama shoqërohej nga një grup deputetësh socialistë. Lideri socialist ka parë nga afër situatën e vështirë të banorëve të fshatrave, ku banorët lëviznin me motobarka, duke mos i lënë shtëpitë e tyre në mëshirë të fatit, pavarësisht rrezikut të madh që u kanosej. Dy ditë më parë, koalicioni opozitar vendosi të pezullojë përkohësisht aksionin politik për transparencën zgjedhore të 28 qershorit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se forca e tij politike ka vendosur që vendosë në plan të parë shpëtimin e jetëve njerëzore që rrezikohen në Shkodër dhe pastaj do të rinisë “lufta politike”. “Bashkë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, tha Rama, ndërsa shpalli nisjen e një aksioni të gjerë të forcës së tij politike për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në Shkodër. Kreu socialist tha se tashmë nuk është ora e luftës politike për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë dramë të jashtëzakonshme, e cila ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes. Sipas tij, është ora kur politika duhet të vërë në rendin e ditës ndihmën për njerëzit që janë ende në një rrezik. Rama tha se pas kapërcimit të situatës emergjente, çdo përgjegjës do të japë llogari.

 
 
 
Dajçi: Lezha në gatishmëri për evakuimet e Shkodrës
Prefektura e Lezhës ka marrë masa për të ndihmuar në çdo rast të evakuuarit nga përmbytjet në Shkodër. Duke folur për kontributin që do të japë Lezha për të dëmtuarit, prefekti Pal Dajçi tha se janë siguruar konvikte të shkollave, ambiente hotelesh dhe reparte ushtarake nëse situata në Shkodër do të rëndohet më tej. Ndërkohë, Shtabi i Emergjencave Civile do të kontribuojë për normalizimin e situatës atje edhe me mjete të tjera. Sipas prefektit të Lezhës, në Shkodër do të dërgohen forca të ushtrisë, si dhe mjete të tjera logjistike. “është një situatë e vështirë e krijuar nga reshjet dhe të gjithë duhet të japim kontributin tonë për kapërcimin e një gjendjeje të tillë”, tha prefekti i Lezhës. Në Shkodër po parashikohet që të dërgohen nga Lezha edhe mjete motorike të Bordit të Kullimit, si dhe të Drejtorisë së Bujqësisë. Qarku i Lezhës edhe pse i përfshirë nga përmbytjet, kryesisht nga baticat, ka përgatitur konvikte të shkollave, reparte ushtarake, si dhe konvikte të shkollave për të pritur të evakuuarit nga përmbytjet në Shkodër.
A. Mema

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›