Majko: Topi të mbledhë urgjentisht KS, nuk nevojitet pamje rozë e situatës

Ish kryeministri kërkon një organizim real në terren. Sipas tij, po rritet nervozizmi i banorëve të përmbytur
Kreshnik KUçAJ
Ish kryeministri Pandeli Majko lëshoi kritika të forta ndaj institucioneve përsa i përket reagimit ndaj situatës së përmbytjeve në Shkodër ndërsa i bëri apel kreut të shtetit Bamir Topi që të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ndërsa ndodhej në zonat e përmbytura në Shkodër, Majko tha se mbledhja e Këshillin e Sigurisë Kombëtare do të mundësonte një organizim real në terren. Presidenti, sipas Majkos, duhet të mbajë peshën e institucionit që drejton. “Nisur nga qëndrimet e ndryshme, përfshi edhe Presidentin e Republikës, të cilët duan t’i japin një pamje rozë kësaj që po ndodh në shumë aspekte, dëshiroj të them se aktualisht situata në Qarkun e Shkodrës nuk ka nevojë për deklarime “komisarësh”, por ka nevojë për një reagim në nivelin e situatës në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e një Qarku të rëndësishëm siç është Shkodra. Mendoj që duhet mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit. Mendoj se kriza tanimë ka shtresëzuar dhe menaxhimi i saj duhet të fillojë jo vetëm me hapin e parë, atë të emergjencës” tha Majko i cili ka mbajtur detyrën e kryeministrit në vitin 1999 kur në Shqipëri mbërritën më shumë se gjysëm milionë banorë të Kosovës për shkak të dëbimit nga ushtria serbe. Deputeti socialist tha gjithashtu se nervozizmi i njerëzve të cilëve u janë përmbytur banesat, është në rritje prandaj duhet të merren masa për një menaxhim më të mirë të situatës. Majko kërkoi që të ngrihet një strukturë e qartë ligjore që të mos merret vetëm me identifikimin dhe me dhënien e ndihmës nga ushtria. “Tani strukturat e menaxhimit të krizës duhet të identifikojnë gjithçka dhe të ngrihet një strukturë e qartë ligjore që jo vetëm të merret me identifikim, apo përcjellje të njerëzve me ndihma të ushtrisë, por në mënyrë të veçantë që të mos kemi një tendencë në vazhdim të nervozizmit të njerëzve, të cilët sipas komunikimeve tona nuk është se po vjen në ulje”tha Majko në konferencën e përbashkët me kreun socialist Edi Rama nga Shkodra. Ndërkohë, Majko, sëbashku me kryetarin Rama dhe me një grup deputetësh socialistë nga të gjitha rrethet e vendit inspektoi zonat e përmbytura të Shkodrës ku u njoh konkretisht me situatën e përmbytjeve dhe me menaxhimin që po bëjnë strukturat shtetërore. Ndërkohë, Partia Socialiste gjatë këtyre ditëve ka deklaruar vazhdimisht se përmbytjet nuk janë shkaktuar nga natyra por nga qeveria aktuale që nuk ka ditur të menaxhojë situatën. Po ashtu, Partia Socialiste ka lënë përkohësisht mënjanë “betejën” për transparencën zgjedhore ndaj qeverisë deri në momentin e kapërcimit të situatës emergjente. Pas kapërcimit të emergjencës, Partia Socialiste ka deklaruar se do të kërkojmë me ngulm nxjerrjen e përgjegjësive nga qeveria ndërsa kjo do të jetë një arsye tjetër e fortë për të kërkuar më me forcë largimin e kësaj qeverie.
Rama: Qeveria të merret me të përmbyturit, jo me opozitën
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e cilësoi si të turpshëm faktin që qeveria aktuale po merret me akuza ndaj opozitës në një kohë që duhej të merrej me njerëzit që janë përmbytur. Duke folur nga Shkodra, kreu socialist hodhi poshtë të gjithë deklarata e mazhorancës e cila e ka akuzuar se po bën politikë me tragjedinë duke thënë se realisht opozita është vënë në shërbim të banorëve të përmbytur. Rama shpjegoi gjithashtu se Shtabi i Emergjencës që ka ngritur në Shkodër Partia Socialiste nuk është një strukturë paralele por një strukturë solidariteti për t’u ardhur në ndihmë banorëve që të kapërcejnë situatën kritike në të cilën ndodhen. “Në çdo vend të emancipuar, çdo popull i emancipuar vepron në këto raste duke ngritur struktura vullnetare në të gjitha pikat e mundshme. Struktura këto, me bazë partiake, me bazë komunitare, me bazë sociale, me bazë individuale. Këto nuk quhen struktura paralele, por struktura solidariteti. Dhe këto struktura solidariteti janë shprehje e një vetëdije qytetare, europiane në shekullin e 21-të, që për fat të keq nuk është vetëdija e atyre që sot kanë përgjegjësinë për shkatërrimin e kësaj katastrofe dhe paturpësinë që të bëjnë politikë me katastrofën, duke u marrë me opozitën, ndërkohë që duhet të merren me njerëzit” tha Rama i cili ndodhej në Shkodër. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në inspektimin e djeshëm në zonat e përmbytura të Shkodrës shoqërohej nga një grup i gjerë deputetësh. Kryetari Rama së bashku me deputetët socialistë kanë bashkëbiseduar me të vjetër e të rinj, burra e gra të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre në këto momente të një krize humanitare. Shoqëruar nga deputetët Pandeli Majko, Fatmir Toçi, Besnik Baraj, Piro Lutaj, Agim Leka, Tom Doshi, Ilir Beqja e Astrit Beci, kreu socialist ka qenë dje në fshatrat Trush i Madh e Trush i Vogël, Mushan, në komunat Dajç e Bushat, si dhe në lagjen periferike të qytetit të Shkodrës, Livade.
K.K
Topalli: Qyteti i Shkodrës nuk është i rrezikuar
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi dje se është takuar më banorët e zonave të përmbytura që refuzojnë të evakuohen dhe u ka kërkuar atyre që të largohen nga banesat pasi qeveria do t’u kompensojë çdo dëm. Duke folur për “Zërin e Amerikës”, Topalli se ka një rritje të nivelit të ujit në zonat përreth Shkodrës ndërsa përsëriti apelin ndaj banorëve që të largohen për të mos rrezikuar jetën e tyre. Deputetja e Partisë Demokratike në Shkodër tha se pavarësisht rritjeve të nivelit të ujit, qyteti i Shkodrës nuk është i rrezikuar. “Siç e shikoni, për shkak të shirave që nuk kanë të ndalur dhe prurjeve të tjera nga lumenjtë që rrethojnë liqenin e Shkodrës kemi një rritje të Bunës me 6 centimetra. Kemi një shtim të nivelit të ujit në rrugën që lidh qytetin me Shirokën. Qyteti nuk është i rrezikuar, pavarësisht se ka një ngritje të nivelit të ujit në hyrje të qytetit” tha Topalli. Ndërkohë, ajo tha se ka informacione se në fshatin e parë të përmbytur, në Obot, janë me dhjetëra kryefamiljarë që po ruajnë banesat e tyre dhe lëvizin me varka. Topalli përsëriti apelin që ata dhjetëra kryefamiljarë të pranojnë evakuimin pasi jeta e tyre është në rrezik. “Më thanë që në Obot po qendrojnë disa dhjetëra kryefamiljarë që qendrojnë në shtëpitë e tyre e lëvizin përmes varkave. Unë prapë kam një frikë brenda vetës se jam e interesuar që jeta e tyre të jetë e shpëtuar dhe u përpoqa t’u shpjegoja se çdo dëm i tyre do të dëmshpërblehet” tha Topalli. Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit garantoi se banorët e evakuuar janë sistemuar mirë dhe u janë vënë në dispozicion baza ushqimore, shërbimi mjekësor, ilaçet etj. Përsa i përket banorëve që nuk kanë pranuar të evakuohen, Topalli tha se Shtabi i Emergjencës u ka dërguar edhe atyre ushqime për ta dhe për bagëtinë e tyre, ilaçe për çfarëdo emergjence, gjeneratorë dhe benzinë etj. Po ashtu, kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjet që ka marrë vendi ynë nga Bashkimi Europian dhe NATO-ja, duke mos lënë mënjanë edhe vlerësimet për familjet shkodrane që kanë ndihmuar dhe mirëpritur familjet e evakuuara.
K.K
PD: Rama kërkon të manipulojë fatkeqësinë natyrore
Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se po sulmon mediat të cilat raportojnë për situatën e përmbytjeve në Shkodër dhe se po tenton të manipulojë një situatë që ka ardhur si fatkeqësi natyrore. Përmes zëdhënës Erla Mëhilli, Partia Demokratike tha se në deklaratën e dy ditëve më parë Rama u bëri presion politik mediave. “Edvin Kristaq Rama, në një akt tërbimi të plotë ndaj eficencës së operacionit të shpëtimit të Komitetit Ndërministror për menaxhimin e situatës së përmbytjes në rrethin e Shkodrës, nuk kurseu në sulmin e tij as edhe mediat e lira të vendit. Ai i kërcënoi ato në mënyrën më të denjë për etërit e tij biologjik e historik, dhe kjo vetëm e vetëm se ato kanë raportuar 24 orë në 24 nga të katër anët e zonave të përmbytura, gjendjen reale të operacionit të shpëtimit, evakuimit dhe ndihmës për qytetarët e këtyre zonave” tha Mëhilli. Sipas saj, Rama u tha mediave se kanë shitur lirinë e tyre vetëm se ato raportojnë të vërtetën mbi operacionet e ndërmarra nga qeveria në zonën e përmbytur. “Telekronistët e tyre së bashku me mijëra zyrtarë lokalë e qendrorë, civilë e ushtarakë, anëtarë të Policisë së Shtetit dhe qytetarë të zonave të përmbytura po përballen prej mëse dy javësh me pasojat e rënda të një fatkeqësie natyrore, ndërkohë që ti bridhje hoteleve luksoze të Parisit dhe resorteve turistike të detrave të nxehta” tha Mëhilli duke shtuar se faji qendron tek lideri socialist, që sipas saj, do të manipulojë fatkeqësinë madhore natyrore.