E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shkelëm të drejtat e njeriut

Në një intervistë për gazetën "Illyria", kryeministri pranon se ka shkelje të të drejtave të njeriut

"Dosjet", Berisha: Ndërkombëtarët kanë të drejtë

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka pranuar për herë të parë se komuniteti ndërkombëtar ka të drejtë me vërejtjet e saj, lidhur me ligjin e lustracionit. Por kjo nuk do të ndryshojë qëndrimin e mazhorancës, teksa Berisha shprehet se, ligji synon ndarjen nga krimet e mëparshme. Në një intervistë për gazetën "Illyria" Berisha ka pranuar se ligji në fjalë sjell edhe kufizim të të drejtave të njeriut.



Zoti kryeministër, na thoni në fillim për qëllimin e vizitës suaj në Amerikë dhe takimet e para që keni pasur me zyrtarë amerikanë?


Këtu kam ardhur me ftesë të bashkëkryetarëve të Komitetit të Kongresit për Mëngjesin e 57 kombëtar të Lutjeve. Kam qenë dhe herë të tjera para disa vitesh në këtë aktivitet. Komiteti përbëhet nga 36 kongresistë e senatorë.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet është një moment i veçantë pasi këtu vijnë përfaqësues të politikës, parlamenteve, botës akademike, botës shpirtërore të 163 vendeve.

Por, krahas qëllimit për të marrë pjesë në këtë takim, këtu po takoj miq të mi të shkëlqyer e të Shqipërisë, miq të rinj, kam takime me administratën, me zyrtarë të lartë të administratës, me sekretaren e Shtetit Hillary Clinton dhe përfaqësues të tjerë, por takoj dhe miq të vjetër që e kanë ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë këtyre viteve, kongresistë të rëndësishëm.



Ka një bllokim të Sllovenisë për ratifikimin e anëtarësimit të Shqipërisë e Kroacisë në NATO...Shihni ndonjë problem në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO?


Ky lloj, nuk po e quaj bllokim nga parlamenti i Sllovenisë, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Unë ju garantoj për këtë. Nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse qëllim thellësisht pozitiv të qeverisë sllovene ndaj anëtarësimit të Shqipërisë. Ka një diskutim mbi kufijtë ose diçka të tillë me Kroacinë, por duket që të gjitha shanset janë që edhe kjo të kapërcehet.

Ligji për hapjen e dosjeve është pritur me rezerva nga BE, OSBE dhe SHBA dhe kërkohet rishikimi i tij. Pse vijnë këto mospajtime nga bashkësia ndërkombëtare për një ligj që i është dashur shumë më herët Shqipërisë?


Problemi ka të bëjë me një jo fenomen, por me një realitet nga i cili Shqipëria pa tjetër duhet të ndahet në mënyrë të qytetëruar.


Themelore është kjo: ka pasur Shqipëria krime kundër njerëzimit apo nuk ka pasur?

Ka kryer sistemi komunist në Shqipëri krime kundër njerëzimit? Krimet kundër njerëzimit janë krimet, torturat, vrasjet, ndjekjet për qëllime politike.


Kësaj pyetje i është dhënë përgjigje përfundimtare se Shqipëria ka pasur krime kundër njerëzimit nga sistemi komunist më shumë se Çekia, Polonia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, po të përjashtosh revolucionin e 54-ës, të gjitha të marra bashkë, shumë më tepër. Po jap vetëm një shifër:

Gjermania Lindore në 45 vjet ka pasur vetëm 250 qytetarë të ekzekutuar me gjyq për qëllime politike, kurse Shqipëria numëron vetëm gra në procese politike rreth 800, pa llogaritur sa kanë vdekur kampeve, pa llogaritur sa janë ekzekutuar pa gjyq. Po flas pra për gratë.


A duhet Shqipëria të ndahet nga kjo e shkuar?


Shqipëria duhet të ndahet nga kjo e shkuar. Po të marrësh historinë e vendeve ish komuniste, ky debat është kudo i gjallë. Vjet Rumania ka vënë ligjin për të çuar për ndjekje penale ata që kanë kryer këto krime.


Atëherë, a mundet që të ndërmerret një zinxhir i pafund procesesh penale ndaj atyre që kanë kryer këto krime. E vështirë kjo. Nuk mendoj se është e mundshme por një formë për ndarje prej sa duhet, sepse po s'u ndave, ato mbeten aty.

Kjo pjesë e shoqërisë që është së paku 25 për qind e saj, kërkon një ngushëllim, një respekt. Çfarë respekti sheh ajo kur në krye të drejtësisë shqiptare janë të vendosur ata që kanë urdhëruar, kanë vendosur për vrasjen e një poeti të ri, për fajin e vet se guxoi të përmend termin të drejtat e njeriut në vargjet e tij?

Çfarë respekti ndjejnë ata kur në vitin 90-të, pasi u hoq ligji për tradhti të lartë për ata që arratiseshin, u ekzekutuan në kufij me dhjetëra, në mos qindra të rinj dhe në disa raste trupat e tyre u zvarritën ditën për drekë në sheshin e qyteteve si Saranda dhe Shkodra, të lidhur me tela me gjemba. Kurse një nga ata ishte deri para tre javësh njeriu kryesor i hetimeve në Shqipëri.



Çfarë synon ky ligj? Ky ligj synon një gjë: të ndahemi nga këto krime. Të tjerët po e bëjnë me procese gjyqësore. Ne nuk po e bëjmë me procese gjyqësore.

Ne themi, dilni me një anë, sepse këta dolën me një anë njëherë në 95-ën dhe për fat të keq, kur u kthyen socialistët në pushtet, aprovuan pikërisht nenet që nuk duhej t'i preknin. Kur unë u bëra kryeministër, gjeta në Shërbimin Sekret Shqiptar tre ish drejtorë të Sigurimit të Shtetit si këshilltarë. Të shtetit të Enver Hoxhës.



Na thoni konkretisht cilat janë vërejtjet e bashkësisë ndërkombëtare për ligjin e dosjeve?
Shiko, pse bëhen vërejtje. Ka të drejtë bashkësia ndërkombëtare. Pse? Sepse kemi të bëjmë me një kufizim të të drejtave, por ky është një kufizim i përkohshëm. Dhe këtë e ka bërë çdo vend, nuk është Shqipëria që ka shpikur këtë gjë.

Jo. Shqipëria ka ndjekur një linjë. Po të marrësh ligjet e republikave baltike, janë shumë më të ashpra, ligji polak i kujtesës kombëtare, është me seksione prokurorie dhe gjykate, pra është shumë më i ashpër. Ky i yni është në mes. Eshtë një model çek.
Si do të zbatohet ky ligj kur llogaritet se shumë dosje janë zhdukur?

Dakord, kjo qëndron, por mendimi i përgjithshëm është që ato që janë duhet të hapen. Shiko, kur kam ardhur në Neë York për herë të parë, unë kam thënë që dosjet të mos hapen. Pse? Pikërisht jam nisur nga kjo që thua ti.


Por, mendimi im u kundërshtua edhe unë rashë dakord. Unë dija që atë vit, kur isha në opozitë, ata po digjnin çdo ditë dosjet. Megjithatë, ka një gjë: dosjet e proceseve gjyqësore janë të paprekura. Në qoftë se ka një dokument që ekziston në mënyrë autentike, ato janë proceset gjyqësore. Ato janë të gjitha aty.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›