Zbulohet letra, Topalli -KE
Topalli deklaron në letër se, në Kuvend, nuk ka pasur kundërshtime për zëvendësimin e Biberajt
TIRANË- Zbulohet letra sqaruese që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka nisur Kryetarit të Komisionit të Rregullores dhe Procedurave në Këshillin e Europës, z Greenëay lidhur me çështjen "Biberaj".
Gazeta "Shekulli" ka mundur të sigurojë korrespondencën shkresore zyrtare që Kryeparlamentarja Topalli ka mbajtur me zyrtarin e lartë europian, menjëherë sapo Komisioni i Rregullores dhe Procedurave i Asamblesë Parlamentare ngriu kredencialet e Shqipërisë në këtë organizëm, për shkak të procedurave të dyshimta të shkarkimit të deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj, si përfaqësues i PD-së në delegacionin e Shqipërisë në KE.
Shkresa mban datën 26 Janar, ditë në të cilën Topalli njoftoi Kuvendin vetëm për pak sekonda dhe pa u zgjatur më tej për zëvendësimin e Biberajt, me deputetin tjetër demokrat, Ilir Rusmali. Me anë të saj, Topalli ka bindur Komisionin e Rregullores dhe Procedurave se, shkarkimi i Biberajt dhe emërimi i Rusmalit, është bërë konform rregullores së Kuvendit.
Pavarësisht, Topalli pranon në letër se njoftimi i seancës plenare për këtë vendim, është bërë 18 ditë pasi ajo i ka nisur letrën e parë KE-së për zëvendësimin e Biberajt. Por, këtë vonesë ajo tenton ta lidhë me shkaqe kohore, duke justifikuar se vendimi për zëvendësimin e përfaqësuesit demokrat, është bërë në marrëveshje me Kryetarin e grupit të PD-së, Astrit Patozi dhe se njoftimi i seancës është bërë i vonuar, për shkak të pushimeve të fillimvitit dhe angazhimit të saj në vizitën e bërë në SHBA, me rastin e betimit të Presidentit Barack Obama.
"Duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, unë jam konsultuar me drejtuesin e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, sa i përket zëvendësimit të përbërjes së delegacionit. Parlamenti e filloi sesionin e ri më 19 janar, ora 5. Duke qenë e pamundur që të marr pjesë atë ditë, si rezultat i pjesëmarrjes sime në ceremoninë e Presidentit të SHB-së, Barak Obama, duke u bazuar në nenin 7, pika 3 e rregullores së Kuvendit, unë e lajmërova zëvendësimin në seancën më të parë plenare ku mora pjesë, dhe pikërisht në atë të mbajtur më datën 26.01.2009", - shprehet më tej Topalli.
Por, megjithatë, në letrën e vet, Kryetarja e Kuvendit rezulton të mos i ketë shumë të vërteta argumentet që i paraqet kreut të komisionit të rregullores në KE, z.Greenëay. Kjo, pasi, Topalli bën të ditur se ka respektuar rregulloren dhe pikërisht nenin 7, pika 3, duke njoftuar seancën plenare, por nuk e ka zbatuar atë deri në fund. Kjo për vetë faktin se rregullorja, pikërisht në këtë nen, bënë të qartë se kryetari ia komunikon vendimin seancës dhe në rast se ka kundërshtime, atëherë ajo e hedh atë për votim.
Detyrim ky që rezulton të mos jetë zbatuar nga Topalli, pasi duke iu referuar dhe procesverbalit të publikuar po nga vetë Kuvendi për seancën e datës 26 janar, shohim se procedura e ndjekur është kundërshtuar nga Kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar seancën. Ndërkohë që e njëjta pikë e rregullores është shkelur edhe sepse kundra këtij vendimi u shpreh edhe vetë z.Biberaj, i cili kundërshtoi procedurat dhe kërkoi publikisht shpjegime nga Topalli.