Berisha: Shqipëria dhe Kroacia do të lobojnë për gazsjellësin Trans-Adriatik
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun kroat, Ivo Sanader, se "Shqipëria dhe Kroacia do të lobojnë së bashku për projektin madhor të gazsjellësit Trans-Adriatik". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Kroaci, Kryeministri Berisha u prit sot në një takim nga homologu kroat, Ivo Sanader, të cilin e falënderoi për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet. Duke u ndalur te bisedimet dypalëshe për energjinë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "ka informuar homologun kroat mbi ecurinë e bisedimeve për gazsjellësin Trans-Adriatik dhe për rezultatet qartësisht pozitive në këtë drejtim". "Edhe gjatë vizitës sime në SHBA kërkova ndihmë nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe ajo shfaqi interes për këtë projekt. Nesër në Tiranë mblidhet bordi i konsorciumit të TAP dhe unë do t'i informoj ata për gatishmërinë e Kryeministrit Sanader për të bashkëpunuar në këtë drejtim", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "ky është projekti me eficient nga ana ekonomike dhe më i shkurtri nga projektet e gazsjellësve nga deti Kaspik në perëndim". Kreu i Qeverisë shqiptare informoi gjithashtu se "një tjetër çështje shumë e rëndësishme ishte ajo e energjisë nukleare, ku do të punohet edhe me vende të tjera të rajonit si Mali i Zi, Bosnje- Hercegovina dhe Maqedonia për të ndërtuar një central të përbashkët nuklear. Kroacia ka një model shumë të mirë, atë të Kreckos me Slloveninë dhe nga të gjitha bisedimet e sotme jam më optimist se kurrë për të ardhmen e këtij projekti", tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te integrimi në NATO, Kryeministri Berisha u shpreh se "Shqipëria dhe Kroacia kanë një rrugëtim të përbashkët drejt këtij projekti madhor dhe me një rëndësi historike. Ky akt vjen si rezultat i mbështetjes së madhe të SHBA-ve, por edhe si fryt i një bashkëpunimi të ngushtë midis kombeve dhe qeverive tona. Bashkëpunimi ynë në kuadrin e Kartës së Adriatikut u shndërrua në një mekanizëm shumë të rëndësishëm që na frymëzoi për të ndërmarrë reformat më të thella që nevojiteshin për të bërë të mundur përmbushjen e standardeve", tha Kryeministri Berisha. Lidhur me integrimin europian, Kryeministri theksoi se "Kroacia është në prag të marrëveshjes së anëtarësimit me BE-në". "Anëtarësimi i Kroacisë është një ngjarje e madhe dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për Kroacinë, por edhe për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë të hyjnë në BE", tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "Shqipëria po bën përpjekje të mëdha për të përmbushur detyrimet e saj dhe standardet", ndërkohë që informoi se "vendi ynë do të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit brenda presidencës çeke".
...