E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia u angazhua sot për heqjen e vizave me vendin tonë deri në fund të vitit

Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, gjatë një takimi të sotëm, në Kroaci, me Kryeministrin Sali Berisha, shprehu mbështetjen për heqjen e regjimit të vizave midis dy vendeve deri në fund të vitit 2009. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Kroaci, Kryeministri Berisha u prit sot në një takim nga Presidenti kroat Mesiç, i cili vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Duke u ndalur te vullneti i dyanshëm për bashkëpunim të ngushtë politik dhe ekonomik, Presidenti Mesiç vuri në dukje se "po punohet për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, dhe konkretisht për transportin detar dhe atë ajror". Në këtë drejtim, Presidenti Mesiç konfirmoi se "pala kroate po punon për përfundimin e autostradës Trans-Adriatike, si një urë lidhëse midis Europës dhe Ballkanit Perëndimor. Jam i kënaqur që vendet tona po bashkëpunojnë në kuadrin e energjisë nukleare, e cila është më e pastra, por edhe e domosdoshme për të plotësuar nevojat e rajonit tonë për energji dhe për t'i bërë vendet tona të pavarura nga aspekti energjetik", tha Presidenti Mesiç. Sipas tij "përfshirja e sa më shumë vendeve në këtë projekt garanton një mundësi më të madhe suksesi për të realizuar atë". Gjatë takimit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Mesiç ka dhënë ndaj aspiratave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet, gjatë gjithë karrierës së tij politike. "Popujt tanë kanë një miqësi historike dhe ata së bashku po përjetojnë ngjarjen historike më të madhe, anëtarësimin në NATO, si fryt i një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi midis kombeve dhe qeverive tona", tha Kryeministri Berisha. Lidhur me integrimin europian, Kreu i Qeverisë shqiptare vuri në dukje se "Shqipëria e sheh me shumë interes anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian". "Kroacia e meriton atë, sepse i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret. Anëtarësimi i Kroacisë është i domosdoshëm për integrimin e mëtejshëm të të gjitha vendeve të rajonit", tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te bashkëpunimin në turizëm dhe ekonomi, Kryeministri Berisha u shpreh se "Shqipëria ka krijuar kushte shumë të favorshme për investitorët kroatë, si taksat e ulëta dhe klimën e favorshme të biznesit".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›