Ristrukturimi i superstradës Tiranë-Durrës sipas parametrave modernë

Që prej një muaji në superstradën Durrës-Tiranë punohet intensivisht. Një investim prej afro 600 milion lekësh nga qeveria shqiptare synon rikonstruksionin e rrugës me trafikun më të madh të automjeteve në të gjithë vendin. Punimet kanë nisur më 5 janar pranë Tiranës dhe deri tani kanë arritur në kilometrin e 17-të, në Marikaj. Investimi, që pritet të përfundojë në muajin qershor, synon të riparojë të gjitha segmentet e dëmtuara rëndë të rrugës.Sapo kalon Maminasin njëra nga korsitë bllokohet dhe automjetet janë të detyruara të lëvizin më ngadalë.Në krahun tjetër të rrugës, pas ndarësit të trafikut ,një grup punëtorësh shpërndajnë me lopata asfaltin që shkarkohet nga një kamion. Tekniku Agim Marku drejton punën dhe ngadalë kuadrati i madh i rrugës që ishte prerë dhe gërryer një ditë më parë fillon të mbulohet nga asfalti.
Investimi afro 600 milion lek
“Firmat “Salillari” dhe “Euroteorema”, të cilat kanë fituar tenderin si një ndërmarrje e përbashkët punojnë veçmas në secilin krah të rrugës me gjërësi 7.7 metra në çdo korsi dhe me gjatësi të përgjithshme 30.5 km. Këto të dhëna mi ofron nëpërmjet linjës telefonike drejtori teknik i firmës "Euroteorema", Eraldo Qinami, i cili ndodhet në Zall Herr, atje ku përgatitet asfalti që mbërrin në vendin e punës me automjet vetëshkarkues. Më shumë se 15 makineri si eskavatorë, rula, asfalto-shtruese, freza, kamjonë, etj., si dhe 20 punëtorë janë sot në dispozicion të shtrimit të sipërfaqeve të rehabilituara. Drejtori Qinami thotë se kontrata parashikon edhe pastrimin e kanaleve buzë rrugës, çka do të ndihmojë në shkarkimin e ujrave nëntokësorë, që përgjithësisht e dobësojnë bazamentin e rrugës. “Kur të përfundojmë rikonstruksionin e pjesëve të dëmtuara, në të gjithë gjatësinë dhe gjërësinë e rrugës do të shtrohet një tapet i ri asfalti’-thotë drejtori Qinami. “Sot është mot i mirë dhe do të punojmë deri vonë", ndërhyn me një shqipe të pastër, Antonio Cimino, një specialist italian i punësuar në këtë firmë, duke shtuar se reshjet e ditëve të shkuara e kanë penguar jo pak punën. Tonio është nga Crotone në Kalabri. Ai ka ardhur të punojë në këtë firmë në vitin 1998, por i ka pëlqyer dhe ka qëndruar. Madje që prej disa vitesh në Tiranë kanë ardhur edhe vëllai dhe motra e tij. Ndjehemi si në shtëpi-shton më pas ai. Sipas kontratës rruga duhet të dorëzohet në fund të muajit qershor. “Edhe përmirësimi i motit do të na e lehtësojë punën", thonë punëtorët, ndërsa në korsinë tjetër qarkullojnë papushim automjete të të gjitha llojeve. Superstrada Tiranë-Durrës nisi të ndërtohet në mesin e viteve 1990, duke zëvëndësuar rrugën e vjetër nacionale dhe duke e shkurtuar 2-3 herë kohën e lëvizjes mes dy qyteteve më të mëdha të vendit. Qindra sipërmarrje zhvillojnë veprimtarinë e tyre në të dy krahët e superstradës, ndërkohë që rrugët paralele kanë lehtësuar lëvizjen e automjeteve të qytetarëve apo subjekteve tregtare dhe prodhuese në zonën Tiranë-Kashar. Mbikalimi i Kamzës, që përfundoi një vit më parë, ka “shpëtuar” trafikun në një nga pikat më nevralgjike të vendit. Që prej dy vitesh nga superstrada pranë Kasharit niset rruga e re drejt aeroportit të Rinasit, e cila përgjysmoi distancën e lëvizjes mes kryeqytetit dhe aeroportit të vetëm të vendit. Në Maminas, një tjetrë rrugë me gjatësi 22 km, niset nga superstrada drejt Gjirit të Lalzit dhe investimi prej mbi 9 milion USD është drejt përfundimit. Ndërkohë tre km larg Durrësit rruga e re me vlerë 2.5 milion euro, jo vetëm krijon një zonë urbane në lagjen e ish-kënetës, por realizon për herë të parë një rrugë hyrëse të re në qytetin bregdetar. Superstrada Tiranë-Durrës është një realitet i domosdoshëm dhe investimi i qeverisë për përmirësimin e saj do të nxisë edhe më tej këtë zonë ku banojnë më shumë se 1 milion banorë.
...