E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Kardhiq-Delvinë është një investim shumë i madh për këtë zonë

Mjetet e rënda që punojnë në një nga tre lotet e rrugës kombëtare Kardhiq-Delvinë, me gjatësi 35 km, kanë përparuar duke lënë pas volumet me dhera. Me një gjatësi 6-7 km, loti i parë që nis nga fshati Shënjan (Delvinë),  ka marrë pamjen e një rruge të gjerë dhe sipas drejtuesve të dy firmave, punimet do të përfundojnë brenda muajit qershor të këtij viti. Projekti i qeverisë shqiptare për ndërtimin e rrugës Kardhiq -Delvinë, në jug të vendit, me vlerë të përgjithshme 600 milionë lekë, nisi nga zbatimi në muajin qershor të vitit të kaluar. Ai vlerësohet mjaft i rëndësishëm, pasi do të shkurtojë distancën me bregdetin në rreth 30 km, por njëkohësisht do të nxisë zhvillimin e kësaj zone. Kthesa e Shënjanit është pikëtakimi i këtij investimi me rrugën ekzistuese. Punimet po ndiqen më vëmendje jo vetëm nga specialistët e dy firmave ndërtuese “Cobial" dhe "Feba", por edhe nga drejtuesit e njësive vendore të rrethit të Delvinës, të cilët janë të interesuar për përfundimin sa më shpejt të këtij investimi. Kryebashkiaku i Delvinës, Dhurim Alinani, tregon se "këto ditë është shtuar numri i mjeteve të rënda që punojnë për rrugën Kardhiq-Delvinë, nga ana e Delvinës". Ndërsa kryetari i komunës Vergo, Fiqiri Kullaj, shton se kemi kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e firmave, për t’i ndihmuar ata për çdo problem që shfaqet gjatë ndërtimit të rrugës së re kombëtare. "Pas përfundimit të projektit, banorët e zonës që janë larguar për arsye të ndryshme do të kthehen për të investuar pranë tokave të tyre, pasi rruga është zhvillim", shprehet i bindur kryekomunari i Finqit, Ziso Lluci. Edhe banorët e zonës besojnë se kjo rrugë do të sjellë një zhvillim për zonën.  Alfred Abedini, rreth të 30-ave, të thotë se "qyteti i Delvinës dhe zonat përreth kishin infrastrukturë të dobët". Sikurse Alfredi dhe bashkëmoshatari i tij, Berndard Jakupi, me profesion ekonomist, e shikon këtë investim në dobi të zhvillimit ekonomik dhe social për të gjithë zonën. "Dy rrugët e reja që kanë nisur të ndërtohen në jug në vendit, Qafë Botë-Sarandë, 40 kilometra dhe Kardhiq-Delvinë, do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e Delvinës, pasi të gjithë pushuesit do të udhëtojnë në këtë aks rrugor", nënvizon ekonomisti Jakupi. Nga ndërtimi i rrugës kombëtare Kardhiq- Delvinë pritet të shpronësohen dhe shumë banorë nga do të kalojë kjo rrugë. "Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, me 2.005.032 lekë, ndërsa pronarët e tokave bujqësore do të kompensohen me vlerë 836. 359 lekë", thotë kryetari i komunës së Cepos (Gjirokastër), Dragush Lokli. Sipas tij, shpronësimet kanë filluar në fund të vitit të kaluar dhe ky proces pritet të përfundojë në fund të muajit mars. "Pjesa më e madhe e banorëve të zonës janë treguar të gatshëm të vënë në dispozicon atë pjesë toke ku është parashikur të ndërtohet rruga e re, pasi ata e kanë kuptuar se zhvillimi i infrastrukturës rrugore do t’i shtojë vlerën tokës së tyre", shton kryetari i komunës së Cepos, e cila përbëhet nga 16 fshatra. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›