Qeveria shqiptare ka marrë masa që efektet e krizës globale të jenë minimale për vendin tonë

Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh optimist për ecurinë e deritanishme të ekonomisë shqiptare, ndërsa siguroi se janë marrë masat që efektet e krizës globale të jenë minimale në vendin tonë. Duke iu përgjigjur interesit të medias, gjatë një konference për shtyp lidhur me situatën makroekonomike në vitin 2008, Ministri Bode tha se edhe kursi i këmbimit do të stabilizohet. "Qeveria tashmë nuk do të marrë kredi në bankat vendase, në mënyrë që të mos dëmtohet tregu i brendshëm financiar", tha Bode, duke shtuar se "ato do të vazhdojnë të jenë një institucion kreditimi ndaj ekonomisë". Sipas tij, "marrja e kredisë në bankat ndërkombëtare nga pikpamja e menaxhimit makro, jo vetëm nuk do të shkaktojë probleme, por në këtë rast qeveria do të jetë një nxitëse e mëtejshme e ekonomisë". Duke iu referuar muajit janar, që sipas ministrit Bode rezultoi pozitiv përsa i përket treguesve ekonomik, ai e cilësoi ekonominë shqiptare "si në ditët e saj më të mira". "Ritmi i investimeve publike do të jetë një tjetër faktor që do të ndikojë në stabilitetin e situatës ekonomike në vend", tha z. Bode.Në këtë drejtim, ministri Bode shtoi se janë marrë masa në tregun e brendshëm financiar për t'i bërë ballë një krize të mundshme. Lidhur me ecurinë e kursit të këmbimit në vend, kreu i financave publike garantoi se ai do të stabilizohet pasi rënia e lekut nuk ka ardhur nga rënia e ekonomisë, por nga disbalancimi i kërkesë-ofertës për monedhën euro në tregun shqiptar. Kreu i Financave shtoi se edhe në maj, qeveria do të rrisë pagat dhe pensionet në kuadër të masave të qeverisë ndaj uljes së efekteve ndaj krizës.
...