E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiu përmbyt përsëri Vlorën, Bashkia: Kanalizime të vjetra

Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur disa nga rrugët kryesore të Vlorës dhe një pjesë të lagjeve periferike dhe dytësore brenda qytetit. Kështu, mëngjesin e djeshëm rruga Vlorë-Skelë ka qenë e bllokuar në akse të ndryshme, ndërkohë që rruga që të çon për në Portin e qytetit të Vlorës ka qenë e bllokuar nga përmbytjet. Për rreth 90 minuta qyteti është paralizuar nga reshjet e dendura të shiut, ndërkohë që në bulevardin kryesor, si dhe në rrugët e tjera kryesore dytësore u mbuluan nga uji. Për pasojë është krijuar kaos në trafikun e makinave, si dhe në lëvizjen e këmbësorëve. Ndërkohë, më problematike kanë qenë lagjet "24 Maji", "10 Korriku", "29 Nëntori", te kryqëzimi në lagjen "Çole" dhe te kisha ortodokse. Gjatë reshjeve të dendura të shiut që në orët e para të mëngjesit ndërmarrja komunale ka vënë në dispozicion mjetet e saj, si dhe të gjithë autobotet, të cilët bënë të mundur largimin e ujit duke pastruar pusetat. Ndërkohë, i pyetur nga "Shqip", drejtori i shërbimeve publike, Ertel Shehu, ka thënë se: "Për ne zonat më problematike vazhdojnë të jenë dykatëshet te lagjja "1 Maji", te kryqëzimi që të çon në lagjen "Çole", tek rruga pranë kishës ortodokse që vazhdojnë të jenë gangrenë për qytetin e Vlorës". Sipas drejtorit Shehu, situata është rënduar pasi në zonën e Skelës po punohet për shtrimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe shirat kanë tejmbushur kanalet dhe pusetat. "Kjo solli mbushjen me mbeturina të kanaleve dhe bllokimin e tyre me rërë dhe u deshën disa orë për ta zhbllokuar situatën. Problemi kryesor është tubacioni te parku i mallrave, që është dëmtuar nga ndërtimi i Rrugës Transballkanike. Linjat ekzistuese që janë në qytet dhe derdhen në det, janë më poshtë në nivel se ajo që u bë në Rrugën Transballkanike. Kjo ka bërë që të kemi një disnivel për ujërat që janë me rrjedhje të lirë dhe janë problem për Vlorën. Nga ne është bërë një punë voluminoze gjatë gjithë sezonit të vjeshtës dhe si pasojë e kësaj pune qyteti i Vlorës ka këto dy rrugë dhe jo më si më parë ku i gjithë qyteti përmbytej dhe nga një shi i dobët. Kur shirat bien me intensitet të lartë siç ishte rasti i 1 majit të vitit 2006, nuk kishim çfarë të bënim, sepse atë ditë mungonte energjia elektrike në hidrovor". Sipas Shehut, Vlora ka një bum ndërtimesh dhe linjat e tubacioneve vazhdojnë të jenë ato që para viteve ‘90. Për pasojë janë të pashmangshme bllokimet.

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›