E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria do kapë orbitën e vendeve të zhvilluara. Bode: Borxhi publik në rënie, asnjë problem

Ndërsa vendet e rajonit dhe gjithë bota po vuan efektet e një krize globale që zbehu ritmet e rritjes së tyre ekonomike, Shqipëria jo vetëm që nuk u prek prej tyre, por është fakt se vazhdon të shënojë progres ekonomik


Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot Shqipëria po implementon sistemin më të mirë të reformave ekonomike, për ta kthyer vendin në orbitën e zhvillimit dhe progresit ekonomik. Gjatë punimeve të konferencës së Bankës Botërore për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Berisha tha po zbatojmë reforma, me qëllim kapjen e standardit të vendeve të zhvilluara.
“Me reformat ë thella e të gjithanshme Shqipëria do të mund të kapë orbitën e vendeve të zhvilluara”- u shpreh kryeminisri Berisha. Kreu i qeverisë shtoi duke theksuar se me konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit si dhe reformat e qeverisë për dixhitalizimin e sistemeve dhe arsimin, ky vend do të udhëtojë drejt vendeve të zhvilluara, më shumë nga sa e imagjinojmë të gjithë.
Përsa i takon efekteve të krizës ekonomike, Berisha garantoi se ekonomia shqiptare përballoi me sukses një nga tsunamët më të egër të krizës ndërkombëtare.
“Ndërsa vendet e rajonit dhe gjithë bota po vuan efektet e një krize globale që zbehu ritmet e rritjes së tyre ekonomike, Shqipëria jo vetëm që nuk u prek prej tyre, por është fakt se vazhdon të shënojë progres ekonomik. Ekonomia jonë i rezistoi krizës jo se jemi një segment i vogël i ekonomisë botërore, por se ajo funksionon mbi parime të shëndosha. Ekonomia jonë i rezistoi krizës edhe sepse asnjë investitor i huaj nuk është larguar nga Shqipëria. Po, ka patur një ulje të tyre sepse kjo ka qenë e natyrshme në këtë furtunë financiare që ndodhi”- vuri në dukje kryeministri.
Nga ana tjetër, edhe ministri i Financave Ridvan Bode foli për një stabilitet ekonomik. Sipas Bodes, tashmë borxhi publik nuk është më problematik për zhvillimin e vendit, pasi ai është në rënie të vazhdueshme.
Ministri Bode u ndal veçanërisht te situata e borxhit publik, duke konstatuar se ai nuk përbën më asnjë problem.
“Borxhi publik është ulur, ka arritur në 60% të GDP-së, duke mos qënë më problematik”- u shpreh ministri Bode.
Përsa i takon borxhit të jashtëm, Bode vuri në dukje se vendi ka kapacitet për ta shlyer atë, pasi është me afat të gjatë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›