Komiteti Ndërministror për luftën kundër krimit, Berisha: Ndëshkim ligjor drejtuesve vendorë që tolerojnë kultivimin e narkotikëve

Kryeminsitri Berisha thotë se në zonat ku kultivohen lëndë narkotike, do përqendrohet forca më e madhe e ligjit, për t’i kthyer ato në hapësira të përshtatshme për investime nga ana e qeverisë
Kryeministri Sali Berisha mblodhi sot në mesditë Komitetin Ndërministror për Luftën ndaj Krimit. Shefi i ekzekutivit u shpreh për tolerancë zero në komunat e vendit ku mbillet lëndë narkotike dhe njëherësh ka kërkuar investime në këto zona në mënyrë që të lehtësohet jeta e banorëve. Kryeministri kërkoi zbatimin e ligjit që penalizon pushtetarët në komunat ku mbillet lëndë narkotike.
“Ligji që penalizon pushtetarët për mbjelljen e lendëve narkotike të zbatohet, ata janë zot të vendit ku mbillet kanabisi”, shtoi kryeministri Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, është bërë një punë e madhe për luftën ndaj kanabisit dhe ka përgëzuar forcat e rendit për këtë.
“Përgëzoj forcat e rendit, deputetët të cilët kanë bërë një punë komunitare të dobishme në disa komuna të vendit, si në Lazarat”- u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër, kryeministri ka përcaktuar si të një rëndësie të veçantë investimin në këto komuna.
“Kjo që duhet të bëjmë ne është të përcaktojmë programe të veçanta për të ndihmuar këto komunitete. Nga një anë të ketë zero tolerancë për mbjelljen, por nga ana tjetër ne do të investojmë fuqishëm në këto zonë që të lehtësojmë jetën e tyre”- deklaroi ai.