Berisha: Shqipëria është prekur nga kriza
Shqipëria është prekur nga kriza dhe për këtë arsye, qeveria ka vendosur që të shkurtojë shpenzimet. Këtë fakt e ka bërë të ditur, vetë kryeminnistri i vendit Sali Berisha në konferencën e donatorëve për ballkanin. Shefi i qeverisë ndërsa bëri thirrje për rritjen e investimeve të huaja në vendin tonë, tha se qeveria do të bëjë çmos që paratë e tyre të mos shkojnë dëm por të përdoren si duhet. Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Michael Leigh në fjalën e tij kërkoi që ndihmat të përdoren me rezultat. Ai tha se efektet e krizës po ndjehen në ballkan dhe se BE-ja ka një plan anti-krizë. Konferenca do t'u japë pjesëmarrësve mundësinë të ndajnë praktikat më të mira në lidhje me koordinimin e ndihmës së huaj, progresin e bërë në rajon, vështirësitë e hasura dhe planet për të çuar më tej koordinimin e donatorëve. Nga ana tjetër, KE do të shohë mundësitë për racionalizimin e modaliteteve financiare të ndihmës së huaj, efektiviteti i së cilës ka qenë në fokusin e Qeverisë dhe të donatorëve që operojnë në Shqipëri. Konferenca e Donatorëve organizohet nga Qeveria shqiptare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit pranë Komisionit Europian (KE), me qëllim përcaktimin e hapave të mëtejshëm të ndihmës së huaj, për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.