E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani përgjigje opozitës

Tiranë -Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani theksoi sot gjatë seancës parlamentare se"Garda e Republikës apo Policia e Shtetit janë sot institucione të konsoliduara, që funksionojnë vetëm mbi baza ligjore dhe parimet e shtetit të së drejtës". Deklaratat e Nishanit, erdhën pas kritikave të deputetit opozita Pirro Lutaj, që akuzonte organet e rendit për punë të dobët."Në radhët e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, nuk ka më trafikantë droge, trafikantë femrash dhe persona të cilët ndaloheshin në pikat e kalimit kufitar të vendeve të BE-së me pasaporta të falsifikuara"-theksoi Nishani.

Lidhur me objektin shumëkatësh që është duke u ndërtuar pranë territorit të Gardës së Republikës në Tiranë, Nishani informoi se "ky ndërtim ka nisur në kohën e qeverisë paraardhëse". Ministria e Brendshme, në vartësi të së cilës është dhe Garda e Republikës, shtoi ai, ka bërë kallëzim në prokurori dhe gjykatë, por që është hedhur poshtë nga këto dy institucione.

"Duke njohur shtetin e së drejtës, si shtet ligjor, ministria e ka pranuar vendimin e dhënë nga këto institucione", përfundoi ministri i Brendshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›