E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i shkruan Scheffer-it: Presim ftesën nga NATO

Kryetari i opozitës, Edi Rama, i është drejtuar dje përmes një letre Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Scheffer. Ai gjen rastin të shprehë mirënjohjen e thellë për shfaqjen e menjëhershme të solidaritetit pas ngjarjes së tmerrshme të tragjedisë së 15 marsit. "Populli ynë, në ato orë të paharrueshme tronditjeje, pati pranë, përmes mesazheve kuptimplota të solidaritetit, Ju dhe partnerët e miqtë e shtrenjtë ndërkombëtarë, pa të cilët, Shqipëria do ta kishte të pamundur sfidën e integrimit në NATO e në BE dhe kapërcimin e një momenti kaq sfidues për një vend si i yni", shkruan Rama. Ai garanton se opozita shqiptare është edhe më e angazhuar për të luajtur rolin e saj në përmbushjen e aspiratës së Shqipërisë për integrimin në familjen euroatlantike. "Si asnjëherë më parë në jetën e demokracisë sonë të re, ne ndërtuam një proces politik të bazuar jo mbi interesa të ngushta partiake, po mbi interesin kombëtar për të përmbushur detyrimet që do t‘i mundësonin Shqipërisë marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, duke dhënë kontributin e konsensusin tonë për të kryer reformat e identifikuara", siguroi Rama. Ai u shpreh se si asnjëherë më parë në historinë tonë të gjatë si vend, ne shqiptarët ndjehemi pranë familjes së popujve të Aleancës së NATO-s, të gatshëm të marrim përsipër përgjegjësinë historike të të qenit pjesë integrale e kësaj aleance. "Një fjalë e urtë shqipe thotë, ‘Miku i vërtetë është miku në nevojë‘, dhe falë Jush e të gjithë miqve që na u gjendën pranë, ne nuk u ndjemë vetëm përballë pasojave të jashtëzakonshme të shpërthimit tronditës", vijon letra e Ramës. Ndërsa konstaton se Shqipëria do të dijë ta kthejë këtë dhimbje të thellë në një forcë të madhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e duhura nga një tragjedi që nuk ishte rezultat i një fatkeqësie natyrore. "Po një alarm shumë domethënës për nevojën e madhe të ndryshimeve të mëtejshme e të gjithanshme në rrugën e ndërtimit të një shteti modern e tërësisht të integruar në NATO e në Bashkimin Evropian", vlerëson Rama. Sipas tij, çdo shqiptar pret lajmin e madh të ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Është për ne preludi i një rruge të re, ku sfidat janë edhe më të mëdha e përgjegjësia jonë po ashtu", këmbënguli Rama. Si asnjëherë më parë, shton ai, ajo që nisi me aleancën e veteranëve tanë gjatë Luftës së Dytë Botërore është pranë një kurorëzimi të natyrshëm me përfshirjen e Shqipërisë në Aleancën e madhe të vendeve që mbrojnë vlerat e patjetërsueshme të lirisë e të demokracisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›