E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan, sot takim kokë më kokë me Berishën

Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka mbërritur dje pasdite në Tiranë, për të zhvilluar një tur takimesh zyrtare me përfaqësues të lartë të politikës në Shqipëri. Pasi ka anuluar në vitin 2006 vizitën në kryeqytetin shqiptar, Kryeministri Erdogan i është përgjigjur pozitivisht këtë herë ftesës së homologut të tij shqiptar, Sali Berisha. Në qendër të vizitës së Kryeministrit turk në Tiranë do të jenë marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat janë kryesisht marrëveshje tregtare dhe ekonomike. Erdogan do të nisë turin e takimeve mëngjesin e sotëm, ku në orën 9:20 do të mbërrijë në selinë kryeministrore për t‘u takuar me kreun e qeverisë shqiptare. Ndryshe nga takimet e tjera zyrtare, në axhendën e përgatitur nga Kryeministria dhe Ministria e Jashtme, Berisha dhe Erdogan do të qëndrojnë në një takim kokë më kokë për rreth 30 minuta. Për të përcaktuar axhendën, Kryeministri ka thërritur dje në mesditë në Kryeministri numrin një të diplomacisë shqiptare, Lulzim Bashën. Pas takimit të të dyja delegacioneve, do të nënshkruhet marrëveshja "Programi kuadër për bashkëpunimin në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit, rinisë dhe sporteve, masmedias dhe kontakteve midis njerëzve". Më pas, në mesditë, dy kryeministrat do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Në orën 11:20, shefi i qeverisë turke do të takohet me kryebashkiakun e Tiranës dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, një vëmendje e veçantë do t‘i kushtohet edhe takimit me përfaqësuesit e biznesit turk në Tiranë. Dy kryeministrat do të përshëndesin takimin e biznesit turko-shqiptar në Tiranë. Kryeministri turk, sot, do të takohet edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topin, dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin. Numri një i qeverisë turke do të takohet pasdite me kryetarin e Komunitetit Mysliman, Selim Muça dhe Baba Reshat Bardhin, kryetar i Komunitetit Bektashian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›