E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Serbia do ta njohë Kosovën pas 10 vjetësh"

"Do të duhet të paktën edhe një dekadë që Beogradi të njohë shtetin e Kosovës, por nëse fitojnë radikalët situata do të përkeqësohet". Kështu mendon serbja Sonja Biserko, kryetare Komitetit të Helsinkit në Serbi, e cila u sulmua nga serbët në Shtërpcë, me direktiva të Beogradit. Duke folur në një intervistë për "Shqip", ajo thotë se ngjarjet në Mitrovicë ishin një tentim i qartë për ndarje dhe se provokimet do të vazhdojnë...

Zonja Biserko, a mund të na shpjegoni pak aktivitetet tuaja në Kosovë. Cili është projekti i fundit me të cilin jeni angazhuar?

Komiteti i Helsinkit ka qenë i përfshirë në Kosovë prej vitesh, së pari në ndërtimin e dialogut mes shqiptarëve dhe serbëve në nivele të ndryshme, në nivel të OJQ-ve dhe nivelin politik, por së fundi ne jemi angazhuar për t‘i bërë bashkë dy komunitetet. Projekti me të cilin po merremi tani është një dialog serbo-serb dhe qëllimi i organizatës sonë është ndërtimi i komunikimit me njerëzit që jetojnë nëpër enklava dhe që janë harruar nga Beogradi dhe janë shumë të instrumentalizuar, pa një objektiv të qartë se çfarë duan. Kështu që përpjekja jonë është që të flasim me njerëzit, liderët lokalë të komunitetit serb dhe të dëgjojmë se cilat janë problemet e tyre, t‘ju shpjegojmë se çfarë është plani i Ahtisarit, si duhet të bëhet integrimi i serbëve në Kosovë dhe cilat janë perspektivat dhe përfitimet e tyre këtu në vend që të largohen nga Kosova, siç po spekulojnë shumë politikanë serbë. Fatkeqësisht, përpjekja jonë e parë është kërcënuar nga një grup të rinjsh që ishte e qartë se ishin organizuar nga Beogradi i cili kërkonte të na dërgonte ne një mesazh dhe të parandalonte këtë lloj normalizimi, së pari të komunikimit mes serbëve të enklavave dhe më pas për të hapur dialogun me komunitetin shqiptar.

Ju po komunikoni direkt me serbët e Kosovës. Çfarë po mendojnë ata realisht, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Mendoj se për shkak të propagandës në Beograd dhe sjelljes së politikanëve serbë ata janë të frikësuar, pasi të gjitha mesazhet që marrin nga Beogradi realisht po shpërndajnë një lloj frike. Kështu që unë jam e frikësuar që Beogradi, kjo klasë politike po shpreson ende për disa ndryshime siç është ndarja e Kosovës. Ata nuk e njohin realitetin e ri dhe shpresojnë t‘i arrijnë qëllimet e tyre nëpërmjet mbështetjes së Rusisë dhe gjithashtu duke injoruar realitetin e ri. Unë mendoj se ky është një problem i madh, së pari për të gjithë serbët që jetojnë nëpër enklava, sepse edhe nëse ata e realizojnë ndarjen, këta serbë nuk jetojnë në pjesën që pretendojnë të marrin. Fati i tyre, sipas asaj që po flasin politikanët e Beogradit, është shumë i varur dhe shumë shpesh ne dëgjojmë spekulime rreth lëvizjes së tyre në vitet e ardhshme. Qëllimi ynë është ta sjellim më afër realitetin e Kosovës dhe t‘ju shpjegojmë se çfarë të mirash kanë nga integrimi në Kosovë. Kosova është vend fqinj, vetëm pak kilometra nga Serbia, kështu që do t‘ju merrte dekada të normalizohen nëse ndryshojnë shtëpitë e tyre. Unë nuk mendoj se njerëzit duhet të largohen nga shtëpitë dhe toka e tyre dhe për këtë arsye e bëj përgjegjës Beogradin për moskujdesin e duhur ndaj këtyre njerëzve dhe veçanërisht që nuk shtyjnë dhe ndihmojnë ata që të gjejnë urat me komunitetin shqiptar.

Tani e dimë se gjuha politike ndaj çështjes së Kosovës është më ashpër për shkak të fushatës, por a mund të shpresojmë një ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj Kosovës pas përfundimit të zgjedhjeve?

Ju keni të drejtë, unë mendoj se serbët në Kosovë do të përdoren si një bazë elektorale. Së pari, nga Koshtunica, sepse ai nuk ka asgjë tjetër çfarë të ofrojë. Kështu që deri më 11 maj, unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë të punohet në këto zona, pasi politikanët serbë i përdorin këta njerëz për të ardhmen e tyre politike. Koshtunica mund të mos marrë shumë vota dhe ai ka vetëm patriotizmin dhe serbët e Kosovës. Dje kjo mund të funksionojë ose jo. Kështu që kjo është një çështje që do ta shohim nëse ai do të jetë i aftë të mobilizojë dhe hegjemonizojë njerëzit për çështjen e Kosovës. Nëse blloku demokratik fiton mendoj se do të ishte më i shqetësuar rreth nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizimit kështu që do të ishin më të angazhuar drejt Evropës, ndërsa nëse fiton blloku populist mendoj se Serbia do të ketë një axhendë totalisht ndryshe. Ajo do të përdorte Kosovën. Shumica e politikanëve nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës në vitet që vijnë, por radikalët do të ishin më aktivë rreth kësaj dhe besoj se do të shikonin te Rusia për bashkëpunim dhe të kërkonin mbështetjen e saj, për të cilën ka pikëpyetje. Ne nuk e dimë tamam sa seriozisht dhe thellësisht do të angazhohej Rusia me Serbinë. Ajo ka interes të qëndrojë në rajon, sepse dëshiron të parandalojë futjen e Serbisë në NATO, pasi ky është objektivi i saj i vërtetë në njërën anë dhe në anën tjetër të mbetet e angazhuar në rajon në sektorin e energjisë. Të gjitha marrëveshjet që ka nënshkruar me këto vende shfaqin interesat e tyre ekonomike.

Por deri tani ne nuk kemi parë shumë serbë të marrin pjesë në protestat kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Si e shpjegoni këtë gjë?

As në Beograd. Unë mendoj se njerëzit e kanë pranuar dhe njohur realitetin. Dua të them se emocionalisht jo, por njerëzit janë ngopur me këtë lloj patriotizmi bosh, i cili realisht nuk përmirësojnë jetën e tyre. Ju mund të shihni se shumica e njerëzve në Beograd nuk ka dalë në rrugë. Ata qëndruan në shtëpitë e tyre, ata nuk e shpërndanë dhunën nga Beogradi në qytete të tjera dhe nuk zhvilluan protesta të vazhdueshme kundër pavarësisë. Kështu që mund të thuhet se qytetet e Serbisë në këtë pikë janë më të pjekura se elita e tyre dhe në këtë kuptim ka shpresë se ndoshta më 11 maj ata do të votojnë për një opsion tjetër. Kjo është shumë e vështirë për t‘u përshpejtuar, pasi blloku populist ka qenë më i fortë në Serbi dhe është e vështirë të priten ndryshime brenda natës, por mund të thuhet se ndoshta pas një presioni prej 20 vitesh njerëzit e kanë racionalizuar sjelljen e tyre dhe me disa angazhime të bllokut demokratik, Serbia do ta kalojë këtë linjë dhe të promovojë për veten e saj një kornizë evropiane pa të cilën ne do të vazhdojmë të kemi përpara periudha të turbullta.

Dhe meqë jemi te zgjedhjet, Serbia do të përpiqet që ashtu siç ka bërë në të shkuarën, të zhvillojë zgjedhje në territorin e Kosovës edhe tani që është shpallur pavarësia. Sipas jush, cili duhet të jetë reagimi i autoriteteve të Prishtinës për të ndaluar këtë proces?

Ne e shohim se sikurse në incidentet e fundit Serbia po operon lirshëm në këtë rajon, pavarësisht faktit se Kosova ka shpallur pavarësinë. Kjo gjithashtu, tregon se UNMIK-u nuk ka pushtet të vërtetë atje. Ky është gjithashtu realiteti i Kosovës, që në një mënyrë jetojnë në dy botë paralele dhe nuk ka një instancë që të kujdeset për të gjithë territorin. Kjo është ajo për të cilën u përpoq UNMIK-u në Mitrovicë dhjetë ditë më parë dhe përfundoi ashtu si dihet, por unë mendoj se duhet të shfaqin më shumë vendosmëri për të mbuluar të gjithë territorin e Kosovës dhe kjo do të ndryshonte dhe qëndrimin e serbëve të Kosovës. Ata do ta shihnin Prishtinën si kryeqytetin e tyre dhe do të ishin me të hapur për të marrë pjesë në jetën politike në Kosovë. Frika e tyre krijohet nga Beogradi. Ata lexojnë vetëm gazetat e Beogradit, shohin TV e Beogradit. Unë mendoj se mbase dhe qeveria e Kosovës duhet t‘i afrohet më shumë komunitetit serb, të përdorë mediat dhe rrjetin e organizata joqeveritare për të arritur qëllimet.

Ju folët për ndarje. A ka Beogradi një plan të qartë për ndarjen e Kosovës?

Unë mendoj se ndarja është i vetmi plan që ka pasur ndonjëherë Beogradi për Kosovën që prej 30 vitesh. Por ata nuk e thonë zyrtarisht këtë, jo zyrtarisht e demonstrojnë duke tentuar të krijojnë një atmosferë të frikës, një atmosferë që Kosova është jashtëzakonisht e rëndësishme për serbët si emocionalisht, psikologjikisht, si pjesë të identitetit etj. Ata po shpresojnë për një lloj kompensimi në Bosnjë, kështu që kjo është manovra kryesore e tyre. Kur ata e kuptuan se komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar çdolloj ndraje të Kosovës, në momentin e fundit ata filluan të bëjnë thirrje për vazhdimin e negociatave, të cilat zgjatën gati një vit dhe për fat të keq Beogradi nuk mori pjesë seriozisht në to. Ata i ndryshonin planet nga statusi i Hong Kongut te shembuj të tjerë të gjetur në eksperiencën botërore. Kjo gjë tregon se ata realisht nuk kanë pasur ndonjë plan tjetër veç ndarjes. Kur Kosova shpalli pavarësinë dhe u njoh nga shtetet më të rëndësishme të botës, ata filluan të kërkojnë negociata të reja në Këshillin e Sigurimit nëpërmjet rolit të rusëve. Tani po publikohen një numër librash dhe esesh që bëjnë thirrje për ndarje, për një 12% të territorit. Tani flitet për 12% me të cilin do të kënaqeshin. Unë mendoj se kjo është një betejë e humbur, sepse është shumë e vështirë të presësh që komuniteti ndërkombëtar do të ndërrojë mendje për Kosovën dhe besoj se është edhe një energji e humbur.

Incidenti në Mitrovicë dy javë më parë, a ishte një hap për të realizuar ndarjen?

Absolutisht po. Kjo ishte vërtet krijimi i një atmosfere që do të shfaqte se dy komunitet nuk mund të jetojnë së bashku. Serbët mund të krijojnë incidente të reja. Kjo nuk është e pamundur, por unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më i ndjeshëm ndaj asaj që po bëjnë ata. Fakti se policë të MUP-it janë gjetur në gjykatë me karta identiteti tregon se policia serbe është kudo, nëpër enklava dhe që ushtron presion mbi serbët për të mos komunikuar apo tejkaluar vijën ndarëse të krijuar prej vitesh. Unë mendoj se Koshtunica do ta bëjë një gjë të tillë edhe në të ardhmen, por kjo situatë në të vërtetë i dëmton serbët e Kosovës.

Serbia ka refuzuar të njohë fillimisht nga republikat që u shkëputën, por më pas është detyruar t‘i njohë si shtete të pavarura. Sipas vlerësimit tuaj pas sa vitesh Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës?

Kosova është faza e fundit e shpërbërjes së Jugosllavisë. Serbia do të rezistojë për ca kohë dhe më pas do të njohë fqinjësinë siç bëri me Kroacinë, Maqedoninë etj. Ky është një proces i normalizimit dhe nuk duhet të mërzitemi, pasi ndjenja e të mundurit është shumë e madhe në Serbi dhe e frustrimit gjithashtu. Unë mendoj se jeta do të normalizohet më shpejt sesa mendojmë, sa për vitet nuk e di mbase një dekadë, por mendoj se lidhjet janë të forta veçanërisht në tregti dhe ka edhe shumë komunikim mes dy shoqërive civile.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›