E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Qeveria po na ofron paradë zëdhënësish

"Me keqardhje, ne e konsiderojmë këtë paradë të pakontrolluar zëdhënësish një tjetër spektakël të shëmtuar, pas atyre që na ka dhënë e vazhdon të na japë Kryeministri Berisha". Kjo ishte deklarata e djeshme e zëvendëskryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ai shprehu shqetësim për fillesat e një konflikti që është shfaqur së fundmi mes institucioneve, posaçërisht atyre që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me sigurinë kombëtare. "Pas pushtimit disa ditor të mediave nga personi i Kryeministrit, që u rrek t‘i jepte tragjedisë së Gërdecit vetëm interpretimin e tij, këto ditë kemi parë "të ndeshen" në ekranet e TV zëdhënësit e institucioneve të ndryshme, që me zell kërkojnë të mbrojnë titullarët apo institucionet në fjalë", vlerëson Xhufi. LSI-ja e konsideron akt të pamoralshëm përpjekjen e ndonjë drejtuesi apo ish-drejtuesi institucionesh shtetërore, për të ndezur beteja ndërinstitucionale dhe për të përpunuar opinion, duke shfrytëzuar postin e tij. Ndërsa fton të gjithë ata drejtues, që për shkak të detyrës kanë lidhje me çështjen e Gërdecit, t‘i ekspozojnë arsyet e tyre dhe mosarsyet e të tjerëve në vendin e duhur, në prokurori. "Të mos përfshijnë institucionet që ata drejtojnë në një betejë, që dëmton vetë institucionet në fjalë, shtetin dhe imazhin e tij", u shpreh Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›