"Nuk ekziston Autoriteti i Kontrollit të Import-Eksporteve"
Numri dy i deputetëve socialistë, Erion Braçe, deklaroi dje se mazhoranca është e kapur nga aferat korruptive. Sipas tij, ligji "Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarakë dhe të mallrave të teknologjive me përdorim të dyfishtë", është kaluar në Kuvend për pesë ditë. "Ky ligj është miratuar në seancën plenare, të datës 5.4.2007 me debate të cunguara, por me një qëndrim të prerë të opozitës kundër miratimit të tij, që liberalizonte tregtinë e armëve në Shqipëri", theksoi Braçe. Një ligj, që sipas tij, është ndërtuar qëllimisht për të ligjëruar këtë aferë të ndyrë, korruptive, të një grupi të strukturuar kriminal brenda qeverisë së Berishës dhe që ka si produkt të saj tragjedinë marramendëse të Gërdecit. "Një ligj, që demonstron më së miri korrupsionin në këtë vend, që ka kapur nivelin më të lartë të vendimmarrjes, të paraparë nga Kushtetuta, që është Kuvendi i Republikës së Shqipërisë", vijoi Braçe. Ligji, sqaroi ai, ngarkon Këshillin e Ministrave dhe kryetarin e saj, Sali Berishën, për të ndërtuar brenda një afati 6 muaj nga hyrja në fuqi e tij, Autoritetin Shtetëror të Armatimeve dhe Municioneve. "Sot (dje) kam harxhuar gjithë ditën, për të gjetur Autoritetin Shtetëror të Kontrollit të Eksport-Importit të Mallrave Ushtarake", tha Braçe. Menjëherë pas deklaratës së Braçes për ligjin e eksport-importit të armëve ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet drejtorit të Drejtorisë Juridike, Rezart Tërshana. Ai theksoi se ligji i miratuar nga Kuvendi për liberalizimin e import-eksportit përbën një nga detyrimet që Republika e Shqipërisë duhet të përmbushte në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe është pjesë e Planit Kombëtar të Përafrimit të Legjislacionit Vendas me atë të BE-së. Për implementimin e këtij ligji është miratuar edhe Vendimi Nr. 43, datë 16.1.2008 i Këshillit të Ministrave "Për organizimin, Funksionimin dhe Statusin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve".
Në këto momente, ligji nuk është i zbatueshëm, pasi struktura e mësipërme nuk është ngritur ende. Aktualisht po punohet për ngritjen e strukturës së Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me qëllim zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj.
Në këto momente, ligji nuk është i zbatueshëm, pasi struktura e mësipërme nuk është ngritur ende. Aktualisht po punohet për ngritjen e strukturës së Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me qëllim zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj.