Berisha: Shqipëria me universitetin e saj mjekësor
TIRANE -Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë. Në ceremoninë e diplomimit Berihsa deklaroi se, "Shqipëria së shpejti do të angazhohet në një nga reformat më të thella të sistemit shëndetësor në mënyrë që t'i sigurojë qytetarëve shërbimin më të mirë".
Në fjalën e tij, Kryeministri u zotua se "qeveria do të bëjë çdo përpjekje për ti mbështetur të sapodiplomuarit në profesionin fisnik të mjekut dhe do të ndërmarrë reformat më të thella, në mënyrë që ata të qëndrojnë në lartësinë e këtij profesioni". "Fakulteti i Mjekësisë, i cili udhëheq zhvillimin e mjekësisë dhe sistemit shëndetësor në tërësi në Shqipëri do të njohë një reformë të thellë. Shqipëria shpejt do të ketë Universitetin e saj Mjekësor", tha Kryeministri duke paralajmëruar se sistemi shëndetësor do të zhvillohet në dy drejtime. Profesioni i mjekut dhe stomatologut është profesioni më fisnik, vijoi më tej Kreu i Qeverisë duke ftuar gjeneratën e re të mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve të vazhdojnë traditën e shkëlqyer të Fakultetit të Mjekësisë, i cili sipas tij "ka hedhur bazat e mjekësisë moderne shqiptare, të kërkimit shkencor dhe të aplikimit të metodave më moderne të diagnostikimit, mjekimit dhe parandalimit të sëmundjeve.”
(m.a/BalkanWeb)