Presidenti Topi uron Obamën për Nobelin e Paqes
TIRANE-Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, për kurorëzimin me cmimin Nobel për Paqen. Mesazhi i Topit në emër të gjithë shqiptarëve e vlerëson figurën e presidentit amerikan, pasi ai ka luftuar për të përhapur paqen e për të zhdukur varfërinë. “Vlerësimi i figurës, kontributit e përkushtimit tuaj për të përhapur paqen, për të luftuar varfërinë, për të ndaluar luftën, për të ndërtuar mirëqenien, për të mbjellë harmoninë dhe për të ringjallur shpresën dhe besimin në emër të drejtësisë, lirisë dhe të një bote më të begatë, është shembulli se si guximi dhe vullneti mund të kthehen në sukses dhe në vlerë kombëtare e botërore.”, thekson Presidenti Topi. Në fjalën e tij , Topi shpreh kosideratën më të lartë për Presidentin Obama dhe për popullin amerikan.”Unë dhe i gjithë populli shqiptar bëhemi pjesë e gëzimit të kombit tuaj dhe pjesë e vlerësimit që Komiteti i posaçëm Ndërkombëtar i Çmimit Nobel pati për ju duke ju kurorëzuar me Çmimin Nobel për Paqen.”, përfundon Topi.
(m.a/BalkanWeb)