Balla: Berisha takoi Delijorgjin, pas tragjedisë
Deputeti socialist Tauland Balla u shpreh në Kuvend se kryeministri i ka lyer duart me gjak
TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga tragjedia e Gërdecit, debati politik vijon ti sërvirë opinionit publikë të tjera fakte që vërtetojnë lidhjet e politikës me aktivitetin e paligjshëm që kryhej në atë repart ushtarak që shpesh herë kohët e fundit është cilësuar edhe si "fabrika e vdekjes". Ashtu siç pritej, edhe gjatë seancës së djeshme plenare opozita duke këmbëngulur në kërkesën për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, nuk ka nguruar të akuzojë kryeministrin Sali Berisha, si të implikuar direkt me administratorin e firmës Alb-Demil, e cila merrej me demontimin e municioneve në këtë repart ushtarak. Deputeti socialist, Tauland Balla duke marrë fjalën gjatë diskutimit të çështjeve jashtë rendit të ditës, ka bërë të ditur në mënyrë publike se kryeministri Berisha vetëm pak orë pas shpërthimit në Gërdec, ka pritur në një takim të fshehtë në orët e vona të datës 16 mars administratorin e kompanisë nënkontraktore që merrej me çmontimin e municioneve, Mihal Deliorgji. "Sali Berisha duhet të vijë këtu kudo që është duke e dëgjuar këtë fjalë e të japë llogari se pse në mesin e natës së datës 16 vetëm 30 orë pas ndodhjes së fatkeqësisë më të madhe që na ka prekur në këto vite, ky njeri është takuar edhe presidentin e Kompanisë "Albademil". Është takuar jo gjatë ditës, por është takuar pas mesit të natës", - u shpreh deputeti Tauland Balla. Sipas tij, ky takim i ka shërbyer Deliorgjit për të përfituar kohën e duhur për të fshehur pasurinë e tij të depozituar nëpër banka. "Këtij njeriu (Deliorgjit) i la kohë 48 orë të nderuar kolegë deputetë, që t'i zbrazte të gjitha llogaritë e veta bankare dhe që pas disa ditësh prokuroria të konfiskonte vetëm 900 mijë euro", - tha më tej Balla. Nisur nga këto fakte ai e ka cilësuar kryeministrin si bashkëautor të vrasjes masive që shkaktoi vala e shpërthimit në Gërdec. Prandaj ai edhe një herë në emër të grupit parlamentar socialistë ka kërkuar dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit dhe paraqitjen në prokurori për të dhënë shpjegime në lidhje me përgjegjësitë e tij jo vetëm morale por edhe ligjore. "Ky individ (Berisha) përpara se të shkojë në Bukuresht duhet t'i bëjë një nder këtij kombi. Të japë dorëheqjen, të mos jetë pjesë e atij delegacioni zyrtar sepse është turp. Është turp për atë njeri, sepse ai i ka duart të lyera me gjak. Të gjitha provat që po mbledh sot prokuroria të çojnë tek përgjegjësia e tij për Gërdecin, tek Berisha i cili është mendja dhe zbatuesi i krimit çnjerëzor të Gërdecit", - tha Balla. Gjithashtu një tjetër akuzë ndaj kryeministrit e ngritur gjatë seancës së djeshme ishte edhe ajo për pjesëmarrjen në aferat korruptive të tregtisë së armëve. Sipas Ballës, përgjegjës për trafikun e armëve të zbuluar nga media dhe i konfirmuar më së fundi edhe nga gazetat Neë York Times dhe Herald Tribune, është kryeministri Berisha. "Bashkëfajtori kryesor për fatkeqësinë e Gërdecit, bashkëautori kryesor për trafikun ndërkombëtar të armëve ka një emër, ai quhet Sali Berisha. Ne si përfaqësues të popullit nuk duhet të bëjmë atë që na thonë partitë, ne duhet të bëjmë atë që na thotë populli. Ne duhet të shkarkojmë Sali Berishën, ne duhet ta largojmë përfundimisht Sali Berishën se po na merr në qafë këtu e 17 vjet", - tha Balla.