Opozita braktis Kuvendin: Raport me shkrim nga Berisha
TIRANË- Socialistët janë larguar nga seanca plenare e radhës me po të njëjtin shkak si në seancën e kaluar, debatet për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Sërish grupi parlamentar i PS-së ka kërkuar që Kryeministri Berisha të paraqitet në Kuvend me një raport me shkrim lidhur me ngjarjen e Gërdecit dhe vazhdimin e debateve parlamentare. Seanca e djeshme është shoqëruar edhe me debate, si ai mes deputetit Erion Braçe dhe kryeparlamentares Topalli. Braçe ka ripërsëritur kërkesën që Kryeministri të vijë në seancë me një raport serioz me shkrim për ngjarjen dhe ka thënë se, parlamenti duhet t'i kishte paraprirë hetimeve për ngjarjen e Gërdecit dhe skandalin e trafikut të armëve. Sipas tij, parlamenti nuk mund të mblidhet dhe të dëgjojë deklaratat e Topallit për burrat e shtetit, duke qenë se kjo e fundit tha duke replikuar me të se "kanë mbaruar burrat e shtetit". "Berisha thotë, alibia ime është 22 vjeçari gangster që unë i shita armët. Keni gjithë seancën që i referoheni NATO-s. E solla në vëmendje alibinë e kryeministrit për t'ju referuar NATO-s. Alibinë e kryeministrit tonë, Diverolin e famshëm, e ka hedhur poshtë Pentagoni. Është Pentagoni që ka vënë në hetim avokatin e kryeministrit tuaj, e ka marrë në hetim", tha Braçe. Deklarata e tij ka sjellë reagimin e Topallit, e cila e ka quajtur Braçen një profesor shpifjesh dhe shtoi se Presidenti Bush ka bërë vlerësimet më të mëdha për Shqipërinë. Por, pikërisht përmendja e presidentit Bush ka acaruar debatin dhe Braçe ka thënë se, Presidenti Bush e ka zbuluar Gërdecin një javë para vizitës së tij në Shqipëri e më pas qeveria e ktheu në një depo municioni. Braçe ka akuzuar Topallin dhe qeverinë se me grykësinë e tyre janë në gjendje të vrasin edhe 30 persona të tjerë vetëm për para dhe për bizneset e tyre, ndaj ka kërkuar një raport për llogaritë bankare në Qipro. "Ato llogari do i shohim. Të të gjithë kryeministrave, ish kryeministrave, ish ministrave dhe kryetarët e partive. Edhe kryetarit tuaj të partisë", i është përgjigjur Topalli Braçes. Më herët, ishte kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ajo që ka kërkuar që parlamenti të vazhdojë debatin për Gërdecin dhe kryeministri të paraqitet me një raport me shkrim. Ndërkohë, gjatë paradites, Leskaj bëri me dije se grupi parlamentar i PS-së ka depozituar një kërkesë me shkrim për të njëjtin çështje. "Kryeministri i vendit të sjellë raport me shkrim lidhur me përgjegjësitë e qeverisë, për ngjarjen e Gërdecit dhe masat e marra dhe të gjithë çështjen e aferave korruptive që lidhen me të", tha ajo.