Hetim të plotë çështjes së reklamave shtetërore
Sokol Olldashi letër Prokurorisë
Deputeti Shalsi del në publik pas deklaratës, “ne do të vjedhim në mënyrë më të zgjuar”
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit reagoi pas denoncimit publik të deputetit socialist Eduard Shalsi, i cili iu drejtua Prokurorisë së Tiranës në lidhje me çështjen e reklamave shtetërore. Në një deklaratë për shtyp Ministria e Punëve Publike dhe Transportit deklaroi se, “Nga media e shkruar, morëm dijeni se deputeti i Edi Ramës, Eduard Shalsi, ka depozituar një padi në prokurori, për ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi ne lidhje me të ashtuquajturin denoncimin publik i aferës së reklamave shtetërore”.
Ministria e Transportit theksoi se përshëndet faktin që Eduard Shalsi iu drejtua institucionit të akuzës “pasi për disa ditë me radhë është përpjekur në mënyrë qesharake të bëjë edhe hetuesin edhe prokurorin, edhe gjyqtarin, pa bërë dot në fakt asnjërin”.
MPPT sqaroi se nuk bëhet fjalë për reklama, por njoftime për shpronësim.
Sipas MPPT, “menjëherë sapo mori njoftimin përmes medias për denoncimin, ministri Sokol Olldashi i është drejtuar me një letër Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, për të kërkuar një hetim të plotë të kësaj çështjeje dhe për të shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton, për të vënë në dispozicion të organit të akuzës, çdo dijeni dhe çdo dokumentacion që lidhet me çështjen. Vetëm një hetim i plotë dhe i shpejtë i çështjes së depozituar në Prokurori do t’i hapë më tej rrugë vënies përpara drejtësisë për shpifje imbecilëve politikë që përfaqësojnë vagabondazhin verbal në mjedisin publik”, përfundon deklarata e MPPT.
Ndërkohë me herët ishte deputeti socialist Eduart Shalsi, i cili nga kangjellat e Prokurorisë deklaroi se kishte bërë një kallëzim penal ndaj ministrit të Transportit. Deputeti Shalsi doli për të herë të parë në publik pas deklaratës publike në një emision televiziv ku deklaroi për të gjithë premtimin e parë të rilindjes së PS se, “dhe mbi të gjitha, një premtim që mund ta bëjmë që tani, nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa kanë bërë këta”.
Sigurisht nënvetëdija i luajti një rreng të papërsëritshëm deputetit të Partisë Socialiste, që është njëherësh krahu i djathtë i Edi Ramës jo vetëm kur ishte në bashki si nënkryetar, por edhe sot në parti. Kuptohet vetiu që Shalsi u fsheh për ca ditë nga turpi, për të dalë ditën e djeshme jashtë kangjellave të Prokurorisë ku bëri një kallëzim penal ndaj ministrit të Transportit.
Në aktpadinë e Shalsit zbulon një të vërtetë që hedh poshtë deklaratat politike të vetë Shalsit sepse “grupi Parlamentar i PS është informuar zyrtarisht me shkresën nr. 2308/4 datë 29. 05. 2012, nga ana e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit lidhur me shpenzimet e bëra ky institucion për publikime të ndryshme në mediat e shkruara, për vitet 2006-2012”. Pra është e dukshme transparenca e ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.