E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria nuk është në krizë, por është prekur dhe do të preket nga kriza botërore

Kryeministri Berisha ka hedhur poshtë alternativat e opozitës për krizën financiare dhe ka siguruar se vendi ynë nuk është në krizë financiare. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës që të mos ndërtojë alternativën e saj mbi zinë dhe mjerimin, por mbi faktet reale. Duke renditur disa nga arsyet pse ekonomia shqiptare nuk është në krizë, Kryeministri Berisha u shpreh se paketën fiskale anti- krizë, kjo qeveri e vendosi 2 vjet më parë kur uli taksat. Sigurisht që pasojat e krizës e kanë prekur dhe do ta prekin Shqipërinë sepse ulja e kërkesës botërore ka ndikim direkt në eksportin e Shqipërisë. Shqipëria nuk është ishull, në Mars, por pjesë e këtij territori. Këtë ekonomi kriza e gjeti si vendin me taksa më të ulëta në Europë. Për çfarë pakete bëjnë fjalë zotërinjtë? Paketën fiskale anti-krizë kjo qeveri e vendosi dy vjet më parë dhe akoma të gjitha vendet përpiqen të vendosin stimuj fiskale siç kemi vendosur ne; nuk e imagjinojnë dot të zbresin në nivelet që kemi zbritur ne tha Berisha. Në këtë drejtim, ai i bëri thirrje mediave të kontrolluara nga Edi Rama, të mos flasin me pasion për krizën ekonomike dhe cinizmi i opozitës sipas tij nuk duhet të shkojë deri aty sa të mendojnë të lartësojnë karrigen, në mjerimin e të tjerëve. Opozita, ka të drejtën e vetë të bëjë vlerësimet, propozimet dhe sugjerimet, por është absolutisht motoja 'rroftë e keqja, poshtë Shqipëria', ajo që opozita ka adaptuar gjatë këtyre muajve në raport me problematikën ekonomike, theksoi kreu i qeverisë. Nëse Shqipëria do të ishte në krizë ekonomike, Kryeministri vuri në dukje se askush nuk do të blinte sistemin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me një çmim qartësisht 30 - 40 për qind më të lartë se të gjitha privatizimet e bëra në rajon dhe nuk do t'i ofronte kredi Shqipërisë, sipas kërkesës së saj. Kreu i Qeverisë u shpreh se kriza botërore është shembje njëra pas tjetrës e bankave dhe korporatave të mëdha dhe është më e thella në shekull. "Nuk ka diskutim se zvogëlimi i remitancave ndikon në ekonominë shqiptare. Kjo nuk është kriza, por është përballje me disa nga pasojat e krizës botërore", tha Kryeministri Berisha. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se FMN, i cili është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë, ka shpallur se Shqipëria ka dalë nga grupi i vendeve të varfra. Sigurisht që Shqipëria do të ketë pasoja të krizës globale, por nuk është në krizë se Shqipëria parashikohet të jetë në krye të rritjes ekonomike në Europë dhe kjo nga 5 institucione të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare", theksoi Berisha. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, Berisha përmendi rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Kryeministri u ndal edhe te stimujt që i ka dhënë kjo qeveri sektorit të ndërtimit, duke theksuar se kreditimi i 6 mijë apartamenteve është stimuli më i fuqishëm që i është dhënë këtij sektori. Shqipërisë i është ofruar një kredi 25 për qind më e lartë se sa njërës prej 6 vendeve më të mëdha të Europës dhe kjo ka si shkak madhor, situatën ekonomike në vend, u shpreh Berisha. Gjithashtu, kreu i qeverisë ka përmendur edhe ndihmën që i është ofruar Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtare. Institucionet ndërkombëtare kanë ndihmuar, se kanë besim të plotë në potencialin ekonomik të vendit. Në kohë krize nuk do të kishte financier, bankier apo sipërmarrës që mund të merrte një vendim të tillë. Por t'u biesh borive të mjerimit vetëm për karrigen tënde, të ëndërrosh krizën si një mekanizëm për të ndërtuar pushtetin tënd, kjo është në radhë të parë një cinizëm ekstrem dhe ç'njerëzi maksimale, është një mashtrim i turpshëm", tha Kryeministri Berisha.

Last Updated on Saturday, 07 March 2009 12:14

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›