Pango: Nuk e dorëzoj mandatin e deputetit të PD
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe dorëzimin e mandatit të deputetit Ylli Pango pas skandalit të transmetuar në Fiks Fare. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe opozita. Duke iu përgjigjur në një farë mënyre këtyre deklaratave, ish- ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shprehet se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen si deputet i Kuvendit.
Deklaratën publike Pango e ka bërë ditën e djeshme duke njoftuar se ai do të vazhdojë të qëndrojë si deputet i zonës nr 38 të parlamentit shqiptar, i zgjedhur me propozim të Partisë Demokratike. Unë nuk kam ndërmend të dorëzoj mandatin e deputetit, unë jam i zgjedhur direkt nga votat e popullit të zonës nr 38 në Tiranë dhe kam luftuar me gjak për ta fituar atë mandat ndaj nuk kam ndërmend që ta dorëzoj, u shpreh Pango. Gjithashtu ndër të tjera ai deklaroi se unë do të pranoj të më hiqet imuniteti, por nuk kam ndërmend të dorëzoj mandatin e deputetit sepse nuk ma ka dhënë Kryetarja e Parlamentit. Këtu Pango replikoi me Jozefina Topallin, e cila një ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit e kritikoi me ashpërsi për aktet e ngacmimeve seksuale që i konsideroi perverse.