E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shqipërinë po e komandojnë Fazlliçët dhe gërdecarët

Kreu i LSI akuzon Ramën  se shkatërroi Tiranën
Në konventën e Lëvizjes së Gruas në Integrim kryetari i LSI që u zhvillua dje në Pallatin e Kongreseve, Ilir Meta deklaroi se LSI do të bëjë çdo gjë për të forcuar familjen shqiptare. "Familja shqiptare është e tronditur, ndaj LSI është e vendosur për të forcuar vlerat e familjes, dhe për të mbështetur mbarëvajtjen dhe forcimin e familjes në të gjithë vendin", tha Meta.
Duke iu referuar skandalit të ministrit Pango, Meta deklaroi se ky skandal tregoi se ku ka shkuar qeverisja e sotme, dhe ku është katandisur ligji i nëpunësit civil. Sipas tij, në Shqipëri, po komandojnë Fazlliçët, që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. "Qeverisja e Berishës është qeverisje e krizave, që nga kriza e predhave deri tek kriza e mbërtheckave", tha Meta. Duke iu referuar kryesocialistit Rama, Meta tha se ai përfaqëson pushtetarin që për 11-vjet rresht nuk ka qenë për asnjë ditë të vetme në opozitë. "Rama po tregon se nuk ka respekt për gratë dhe vajzat shqiptare, ai i përdor ato për të më sulmuar", tha ai. Sipas Metës, Rama nuk përfaqëson asnjë politikë të re."Është koha që Rama të na thotë pse s'ka bërë një plan të përgjithshëm rregullues për Bashkinë e Tiranës. Tirana është shkatërruar për shkak të betonizimit të bërë nga Rama. Parkun e Rinisë nuk e ktheu Rama, por e ktheu qeveria e drejtuar nga Meta", u shpreh kryetari i LSI. Meta tha se kryetari i PS përfaqëson pushtetarin më jetëgjatë në Shqipëri, i cili që nga marsi i 1998 e deri tani në mars të 2009 ka 11 vite rresht  që nuk ka qenë asnjë ditë të vetme në opozitë. Ishte ky kryetar i Partisë Socialiste, i cili i rrahu shpatullave Sali Berishës më 15 mars në ditën e tragjedisë së Gërdecit. Ishte po ky njeri që nuk lejojë deputetët e tij që të jepnin firmën e tyre për të kërkuar Komision Hetimor Parlamentar për të zbardhur këtë tragjedi.  Ishte po ky që vetëm një muaj më vonë në natën e 21 prillit i dha Sali Berishës ato ndryshime kushtetuese që ai i kërkonte që në 1994,  kur populli i rrëzojë me referendum, dhe ky ja dha vetëm për tre orë, u shpreh Meta. Duke iu referuar qeverisjes aktuale, Meta tha se për hir të interesave të dhëndrit të Kryeministrit prish dhe shkatërron ndërtim dhe prona të bëra me aq mund të banorëve të Jalës, në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, ku më shumë se 200 vajza dhe djem të LRI u trajnuan këtë verë dhe të gjithë u shokuan nga ato shkatërrime. Lider Meta theksoi se LSI do të angazhohet jo vetëm për të ruajtur vendet aktuale të punës, duke mbështetur biznesin e duke bërë të gjitha ato politika stimuluese fiskale, që nuk inkurajojnë bizneset për të shkurtuar vendet e punës, por LSI është e vendosur dhe ka një filozofi krejt tjetër për të krijuar një klimë optimiste dhe të re për biznesin. Ne do ta favorizojmë me lehtësira fiskale, në veçanti, bizneset që punësojnë gra e sidomos ato që punësojnë kryefamiljare. Ne do të mbështesim konkretisht gratë që synojnë të hapin biznese, sepse unë besoj te shpirti sipërmarrës së grave, sepse në fund të fundit, çdo grua është një administratore, qoftë dhe e atyre punëve dhe problemeve të shtëpisë, u shpreh Meta. Ai shtoi se të gjitha gratë kryefamiljare do të marrin ndihmë ekonomike të plotë dhe do të ketë një politikë të veçantë nga ana e qeverisë dhe e shtetit për to. Kjo do të bëhet, tha Meta, duke aplikuar një sistem totalisht të ri të kontrollit shëndetësor, duke ofruar shërbime falas për gratë, për vaksinimin dhe patologjitë specifike që prekin ato. Gjithashtu, ai theksoi se të gjitha gratë dhe nënat pensioniste do të përfitojnë, ashtu si edhe pensionistët, nga projektligji i LSI për moshën e tretë, që u rrëzua nga Berisha por, që do të votohet ndër të para ligje pas 28 qershorit. Më pas, Meta iu referua takimit të tij në Shkodër me disa përfaqësues  të familjes së viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004, të cilët kanë hyrë në një grevë urie.  Në asnjë rast tjerët po zhvillohet kjo grevë me tre arkivole pranë vetes së tyre vetëm për një arsye, sepse shteti dhe qeveritë e deri tanishme nuk kanë bërë as përpjekjen më minimale për të vënë para drejtësisë shkaktarët që nuk i ndihmuan të afërmit të tyre për të shpëtuar nga kjo tragjedi, u shpreh Meta.  Ai më tej, iu referua grevës së tetra dhe paraplegjikëve, për të cilët shteti këta të paaftë nuk i ndihmon financiarisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›