E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria shembull suksesi

11/08/2011  INSEAD: Ekonomia shqiptare është një ndër dy ekonomitë më të qëndrueshme në Europë

“Ekonomia shqiptare vlerësohet si një ndër dy ekonomitë më stabël në Europë”

Kryeministri Berisha dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave përshëndeti vlerësimin e bërë nga INSEAD-i, shkolla e biznesit e botës, që e rendit ekonominë shqiptare në një ndër dy ekonomitë më të qëndrueshme në Europë. Duke e konsideruar këtë një lajm shumë pozitiv për vendin, Berisha tha se ky vlerësim mbështetet në suksesin e modelit ekonomik të vendit. Në lidhje me këtë kreu i qeverisë u shpreh: “Një lajm tjetër shumë pozitiv vjen për ekonominë shqiptare. Sipas INSEAD-it, shkolla e biznesit të botës, dy janë ekonomitë më stabël në Europë: nga ekonomitë e mëdha është ekonomia kryesore e Europës, ajo gjermane; ndër ekonomitë e vogla është ekonomia shqiptare. Ky është rankimi që u bën shkolla e biznesit të botës ekonomive në Europë.” Më pas Berisha, duke theksuar se modeli i ekonomisë shqiptare është një model suksesi, në fjalën e tij u ndal edhe te skeptikët e këtij modeli të ndjekur nga qeveria shqiptare. “Modeli ynë ekonomik është modeli ynë i suksesit. Vështirësia është te gjyzlykët, sepse ka njerëz që të duket sikur kanë lindur me syze të errëta, nuk i heqin kurrë. Le të shtrojmë një pyetje: nëse ekonomia shqiptare nuk do të rritej, por do të binte; nëse kjo ekonomi nuk do të kishte rritje, por recesion; nëse qeveria shqiptare do të detyrohej për shkak të recesionit të rriste taksat, të ulte pensionet apo t’i ngrinte ato, do të detyrohej të mos rriste rrogat, cila do të ishte gjendja psikologjike e këtyre kollagjerëve? E para, do të gëzoheshin dhe do të këndonin të njëjtën melodi. Po kur të gjitha agjencitë e thiktank-et e botës, që bëjnë fjalë për trende qartësisht pozitive në ekonominë shqiptare, qëndrimi dhe nihilizmi ndaj këtij modeli ka absolutisht botëkuptimin e vjetër në themel të tij, papajtueshmërinë me tregun e lirë dhe vlerat e tij”, - tha Berisha.

Projektet e qeverisë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit

“Duhet edhe kontributi qytetar për zgjidhjen e ndotjes së bregdetit”

Kryeministri bëri të njohur të dhënat e fundit mbi numrin e vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri. Ai theksoi se kjo rritje dëshmon se “Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë magjia e turizmit”. Duke e konsideruar ruajtjen e zonave turistike nga hedhjet në mjedis të mbeturinave urbane si një nga problemet më të mprehta, kryeministri Berisha tha dje se investimet e qeverisë janë të pamjaftueshme në zgjidhjen e këtij problemi, që po dëmton imazhin e vendit, por është e nevojshme krijimi e konsolidimi i një kulture të re miqësore ndaj mjedisit nga qytetarët. “Qeveria ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për turizmin. Vetëm në rrethin e Vlorës janë investuar mbi 600 milionë euro, në infrastrukturën e të gjitha llojeve, me impakt direkt në turizëm, në ujësjellës, energji, rrugë dhe janë investime të mëdha. Është përfunduar impianti i përpunimit të ujërave të zeza. Në qoftë se linja Tiranë–Podgoricë, financim i KFW-së, që është edhe linjë ndërkombëtare, kushtoi 47 milionë euro, unaza e Jugut, unaza e Bregut, që do të furnizojë Bregun me energji njëlloj si qendrat urbane më të fuqishme të vendit, kushton 49 milionë euro. TEC-i i Vlorës, investim 110 milionë dollarë dhe i tërë në funksion të turizmit. Janë rrugë, autostrada dhe po përmend vetëm disa investime. Ne jemi të vendosur të kompletojmë në një kohë të shkurtër një nga infrastrukturat më të mira në Europë për këtë zonë, sikundër edhe për çdo zonë tjetër turistike”, - tha kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›