Te demtuarit e Gërdecit protestojnë te Konvaleshenca në Durrës
Qindra banorë të Gërdecit, të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, kanë protestuar dje në ambientet e Konvaleshencës kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për t’i nxjerrë ata jashtë më 1 qershor 2008. Kjo protestë u monitorua dhe u mbështet nga lëvizja “MJAFT!”. Shumë fëmijë ishin gjithashtu pjesëmarrës në këtë protestë. Ata thonë se kanë frikë të shkojnë në Gërdec. “Duam shkolla! Kemi frikë të shkojmë në Gërdec! Kemi edhe ne të drejta!”, janë disa nga thirrjet e dhjetëra fëmijëve që kanë humbur shtëpitë në Gërdec, e disa prej tyre edhe të afërmit më të dashur. Banorët, të cilëve u është deklaruar se që nga data 1 qershor duhet të lënë ambientet e Konvaleshencës, pasi ajo do të përgatitet për pushimet e verës, kundërshtuan me forcë këtë vendim sipas tyre absurd dhe kriminal. Ata mbanin në duar një baner ku shkruhej: “Ne jemi këtu!”. Protesta pati në fillim të saj edhe disa incidente. Policët që qëndronin në dyert e Shtëpisë së Pushimit, siç bën të ditur nga Durrësi Ervin Qafmolla (gjithashtu i pranishëm), tentuan të pengonin zhvillimin e protestës, por ata hoqën dorë pas presionit në rritje të banorëve dhe i lejuan ata të protestojnë brenda dhe jo në rrugën nacionale. Të papranueshëm e quajtën këtë vendim të qeverisë edhe disa analistë si Artur Zheji, Andrea Stefani etj., sipas të cilëve është turp që të nxirren njerëzit e thjeshtë që të relaksohen pastaj buzë detit funksionarët e lartë të Ministrisë së Brendshme.
30 Maj 2008