Berisha: Shqipëria, superfuqi energjetike, të gjitha qytetet pjesë e projektit

“Ne në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në çdo fshat të Gramshit dhe do të fusim ujin e pijshëm brenda çdo familjeje. Jam këtu për tu dhënë fjalën se në 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Gramshit do të jenë të reja ose të rindërtuara”
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha fton qytetarët e Gramshit të bashkohen me PD-në për fitoren madhështore të 28 qershorit. Gjatë mitingut elektoral të organizuar paraditen e djeshme në Gramsh, kryeministri Berisha premtoi se në 4 vitet e ardhshme qeveria do të ndërtojë çdo fshat të këtij rrethi dhe do të çojë ujin e pijshëm në çdo familje. “Jam këtu për tu dhënë fjalën se në 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Gramshit do të jenë të reja ose të rindërtuara. Në katër vite ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet për të gjithë fermerët e Gramshit dhe të gjithë Shqipërisë, ia dolëm të rrisim 50 deri në 70 për qind pensionet për të gjithë pensionistët e qytetit të Gramshit dhe mbarë Shqipërisë. Në 4 vite dyfishuam rrogat e infermiereve që 4 vite me parë merrnin 15 mijë lekë të vjetra. Ne dyfishuam rrogat e mësuesve dhe sot mësuesit e fëmijëve tuaj dhe ata ta mbarë Shqipërisë kanë rroga 2 herë më të larta se 4 vite me parë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u ndal tek investimet në rrethin e Gramshit dhe punën e bërë përgjatë 4 viteve në mbarë Shqipërinë. Gjatë mandatit tonë, tha kryeministri, çdo qytetar i këtij rrethi e ka të qartë se qeveria ime ka investuar 6.8 herë më shumë, se sa qeveria e mëparshme. “Por sot unë nuk jam këtu për të numëruar me dhjetëra e dhjetëra rrugë shkolla, ujësjellës që ne kemi ndërtuar, por jam këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, çdo rrugicë të lagjeve tuaja”, deklaroi kreu i qeverisë Berisha. Ai vijoi më tej se para së gjithash qytetarët e Gramshit do të kenë punë. Berisha garantoi se në 4 vitet që vijnë vetëm me HEC e Banjës dhe me hidrocentrale të tjera të kaskadës së Devollit do të punësohen rreth 7000 punonjës. Por sipas tij, ky është vetëm njëri, nga një seri hidrocentralesh të tjera, të cilët janë në ndërtim e sipër apo nisin ndërtimin. “Dhe disa HEC-e të vogla me kapacitet nga 4.7 deri në 20 megavat, hyjnë të gjitha në prodhim brenda këtij mandati. Dhe që të gjitha së bashku janë të barabarta me HEC e Ashtës. Gramshi së shpejti do të jetë në krye të përpjekjeve të qeverisë sime për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale”, theksoi ndër të tjera shefi i ekzekutivit Sali Berisha.
...