Lohan: Vlerësojmë angazhimin e qeverisë, BE do të mbështesë më tej Shqipërinë

Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan ka deklaruar dje se “zgjedhjet e 28 Qershorit janë një test shumë i rëndësishëm për Shqipërinë”.
Këtë deklaratë ambasadori Lohan e bëri gjatë një aktiviteti në Tiranë me Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Ambasadori Lohan u shpreh se Komisioni Evropian po ndjek me kujdes procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. “Pak më shumë se dy javë prej sot Shqipëria ka mundësi të demonstrojë se ka arritur nivel esencial demokratik, nëpërmjet organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një linjë me standardet ndërkombëtare. BE miqtë dhe partnerët e Shqipërisë po e vëzhgojnë këtë proces me interesin dhe kujdesin më të madh”, u shpreh Lohan. Deklarimet u bënë në kuadër të prezantimit të rezultateve mbi projektin e përbashkët të Komisionit Evropian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare në titullin drejt Evropës. Për këtë projekt KE ka dhënë plot 2 milion euro në drejtim të forcimit të kapaciteteve administrative të qeverisë shqiptare. Konferenca përkon me tre-vjetorin e nënshkrimit të MSA Shqipëri - BE. "Doja të theksoja disa elementë që do të jenë shumë të rëndësishëm për procesin e integrimit të mëtejshëm në BE, siç është kujdesi për përgatitjen dhe zbatimin në kohë, nga qeveria dhe parlamenti. E fundit por jo më pak e rëndësishme, konsensusi i forcave politike në objektivat për integrimin në BE në parlamentin e ri, duhet të manifestohet qetësi dhe debat i edukuar për mënyrën se si do të përafrohen aktet legjislative me standardet e BE”, u shpreh ambasadori i KE-së. Ambasadori Lohan vlerësoi punën e Ministrisë së Integrimit në zbatimin e këtij projekti, duke vënë theksin në vazhdimin e mbështetjes së BE-së për Shqipërinë. Në këtë kontekst ministria Bregu tha se qeveria demokratike do të vijojë të ketë prioritet kryesor integrimin evropian të vendit.
...