E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria, vendi më i bukur. Kemi katër milionë turistë në vit

Share

Kryeministri Berisha, së bashku me ambasadorin e OSBE-së, Eugen Volfarth, kanë çelur sezonin turistik në komunën e Shëngjinit. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, ku Berisha u nderua edhe me titullin Mirënjohja e Qytetit, ka thënë se Shqipëria është vendi më i bukur. Për të ilustruar këtë gjë, ai tregoi një histori.

Sot prita në zyrë , një ekip televiziv të një vendi mik , të cilët kishin ardhur nga larg për të qëndruar disa ditë në Shqipëri. E pyeta gazetarin se -çtë shtyu të vish në Shqipëri-, dhe ai mu përgjigj – erdha sepse lexova në një gazetë të madhe gjermane, një shkrim me titull Shqipëria, misteri i Evropës për tu zbuluar dhe unë sot,- më thotë gazetari-me ekipin tim kam kaluar disa ditë këtu dhe jam mahnitur me bukuritë  e rralla që nuk i kisha parë kurrë më parë. Gjeta një vend me bukuri jashtë imagjinatës sime, me brigje, me male, me njerëz të mrekullueshëm dhe mikpritës. Por, ndër të tjera ky mik më thotë – e tërë kjo bukuri e cila pret për tu njohur nga Evropa dhe bota e ka një problem dhe ky problem janë hedhurinat, të cilat i kap syri rëndom aty ku sduhet. Unë ju përgjigja – keni të drejtë, ky është problemi ynë, por i thashë se jam optimist që ne do të dimë gjithnjë e më shpejt e më mirë ta trajtojmë këtë problem, do të dimë që ashtu siç mbajmë të pastra shtëpitë tona, ashtu siç mbajmë të pastra lokalet tona, ashtu siç mbajmë të pastra restorantet tona, të mbajmë të pastër dhe mjedisin përreth. Ndaj dhe thirrja ime ndaj jush, ndaj të gjithë shqiptarëve, burrave dhe grave, fëmijëve dhe të moshuarve, është të mendojmë se si ta mbajmë sa më pastër mjedisin përreth  shtëpive tona, buzë rrugëve tona, para dyqaneve tona, restoranteve tona, le ti japim Shqipërisë ne, atë pastërti që meriton. Një kthesë ka filluar dhe unë jam i bindur se së bashku do ta bëjmë Shqipërinë një nga vendet më të pastra të rajonit. Shqipëria është vendi më i bukur dhe e meriton këtë.

Sipas Berishës, 7 vjet më parë Shqipërinë e vizitonin vetëm 300 mijë turistë, ndërsa sot ky numër ka shkuar katër milionë.

“Turizmi është shndërruar sot në një degë kryesore të ekonomisë shqiptare, nga një diçka pothuajse e parëndësishme. Kështu, 7 vjet më parë, Shqipëria priste gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë, ndërsa vitin që kaloi, Shqipëria priti mbi 4 milion turistë dhe vizitorë. Vitet e fundit Shëngjini, me mikpritjen e tuaj, bujarinë tuaj, qytetarinë tuaj dhe vlerat e mëdha që ka bregu dhe mjedisi i tij, ujërat dhe i tërë kompleksi është shndërruar në një pol të fuqishëm të turizmit në Shqipëri. Vetëm Shëngjini dhe Lezha kanë pritur vitin e kaluar turistë dhe vizitorë, aq sa ka pritur e gjithë Shqipëria, në vitin 2004, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›