Berisha niset për në SHBA, kryeson delegacionin që do marrë pjesë në Samitin e NATO-s
Kryeministri Berisha u nis sot për në Çikago (SHBA), ku do të marrë pjesë në Samitin e 25-të të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), i cili do të zhvillohet në 20 dhe 21 maj në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive.
Në një njoftim të kryeministrisë thuhet se delegacionin e drejton Berisha. Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Sali Berisha dhe në përbërje të tij janë Zëvëndës kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, zoti Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë, thekson njoftimi.
Ndërkohë në faqen e samitit thuhet se do jetë i pranishëm edhe presidenti Topi, i cili nuk ka saktësuar nëse do të shkojë aty apo jo.
Në ditën e parë të punimeve, të cilat do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Andres Fogh Rassmusen, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC). Gjatë këtij sesioni do të përkujtohen ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës.
Në sesionet e Samitit do të marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Këshillit të BE-së, Presidenti i Komisionit të BE-së etj.