E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Volfarth ka dështuar. Këtu populli voton, Berisha e Rama numërojnë, OSBE duartroket

Share

Aktivistët e Aleancës KuqeZi dolën nëpër rrugët e Tiranës në fushatën e tyre Të bëhemi 1 milion KuqeZi. Qytetarëve iu shpërndanë kopje të programit të Aleancës KuqeZi. Shumë prej tyre nënshkruan Kontratën KuqeZi. Në kontratën KuqeZi janë nënshkruar parimet bazë mbi të cilat Aleanca KuqeZi premton se do të qeverisë vendin e ku prioritare janë bashkimi kombëtar i cili duhet të filloj nga bashkimi me Kosovën dhe deri te kufizimi i mandateve të kryeministrit, kryetarit të partisë, kryetarit të bashkisë, komunës etj. Po ashtu në kontratë thuhet se Aleanca KuqeZi nuk pranon në gjirin e saj asnjë deputet apo ish deputet, ministër, kryeministër, president apo ish funksionar partie.

Kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu tha se qytetarët duhet të nënshkruajnë Kontratën KuqeZi për ti dhënë fund regjimit politik aktual. E vetmja mënyrë është të bëhemi 1 milion që vetë shqiptarët me votë të rrëzojnë regjimin më të korruptuar, më autokratik dhe më të vjetër të Europës, tha Spahiu.

Ndryshimi i regjimit politik duhet të vij vetëm nga shqiptarët dhe nuk do importohet nga jashtë.

Spahiu kritikoi ashpër edhe ambasadorin e OSBE, Eugen Volfarth duke deklaruar se: ambasadori i OSBE drejton misionin më të madh në Europë me zyra në të gjithë Shqipërinë dhe ka dështuar për dy vjet pa bërë asnjë hap në reformën zgjedhore. Ambasadori kryen çdo qokë duke përuruar panaire kafesh, birrash, qoftesh dhe mandej në Shqipëri nuk garanton zgjedhje të lira. Ambasadori i OSBE duke refuzuar votimin dhe numërimin elektronik ka ruajtur sistemin e vjetër që populli voton dhe Berisha me Ramen numëron dhe OSBE duartroket. Jemi i vetmi vend në Europë me prezencë kaq të madhe të OSBE dhe nuk realizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›