Jones: Presidenti Obama mbështet zhvillimin në Shqipëri
Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Stewart Jones, i shprehu dje në Tiranë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, mbështetjen e SHBA-së në forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Jones e siguroi z. Topi se administrata e re amerikane e Presidentit Obama do të vazhdojë të mbështesë pa lëkundje zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm e moderator të saj dhe faktorit shqiptar në rajon, në shërbim të qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe begatisë afatgjatë. Gjatë takimit, kreu i shtetit, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, shprehu bindjen se pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria do të vazhdojë të jetë jo vetëm një vend mik e partner, por edhe një aleat besnik në forcimin e paqes dhe sigurisë në botë. Presidenti Topi, duke bërë një përshkrim të reformave të ndërmarra në vend, si dhe përgatitjeve për infrastrukturën zgjedhore, nënvizoi besimin se "zgjedhjet parlamentare do të jenë të lira, të ndershme e të pakontestuara, në mënyrë që Shqipëria të japë një provë tjetër bindëse në drejtim të plotësimit të standardeve dhe përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar". Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers.