Berisha: Perandoria otomane ishte dualiste

Berisha duke folur në Forumin e parë turko-shqiptar të biznesit e ekonomisë
Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka marrë pjesë në Forumin e parë turko-shqiptar të biznesit e ekonomisë, i organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë e Bursave të Turqisë në bashkëpunim me atë shqiptar. Berisha duke folur për historinë e kombit shqiptar u shpreh se shqiptarët kanë qenë udhëheqës së perandorisë otomane. Ndër të tjera Berisha tha se perandoria është historia e miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë mes dy kombeve dhe vendeve tona të lidhura me qindra dhe mijëra fije.
Lidhjet tona shkojnë në shekuj. Perandoria otomane nuk ishte de juro një perandori duale, por de fakto ishte pothuaj e tillë. Shqiptarët luajtën në perandori një rol ndër më kryesor, çuan zhvillimin e saj në 4 skajet e Azisë, si elitë ushtarake e shkëlqyer e perandorisë në Afrikë dhe në zona të tjera, tha kryeministri shqiptar.
Duke folur për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, ai përmendi se ato u rriten me 9 herë nga viti 2005 deri në vitin 2011 por ka shtuar se ka vend për tu përmirësuar më tej.
Shqipëria ka bërë përpjekje serioze për të krijuar një klimë sa më miqësore për biznesin dhe sot biznesi turk është fuqishëm i pranishëm në të gjithë sektorët e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, në arsim ,shëndetësi, telekomunikacion, metalurgji dhe ne çdo fushë tjetër, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.
Një shkrimtar i shquar shqiptar Faik Konica do të shkruante në fundin shek. Të 19 një libër në të cilin do të thoshte Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore. Unë mund ju garantoj ju se Shqipëria është diamanti i vërtetë i Evropës Juglindore që ju fton ju së bashku ta shkëlqejmë. Ta shkëlqejmë gjithnjë e më shumë, ka përfunduar fjalën Berisha. /F.Stafa/
* * *
Berisha-Erdogan: Kemi pikëpamje identike
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në përfundim të ditës së parë të vizitës në Turqi ka zhvilluar një takim me homologun e tij Taip Erdogan. Ata mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit kokë më kokë, që u pasua me takimi mes dy delegacioneve qeveritare, turk dhe atij shqiptar ku mes dy vendeve u nënshkruar dy marrëveshje.
Në fjalën e tij, Erdogan u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë vëllazërore dhe e konsideroi Shqipërinë vend të veçantë në Ballkan. Ai foli për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vende.
Aktualisht, vlera e tregtisë mes dy vendeve është 400 milion dollarë dhe sigurisht që kjo nuk tregon kapacitetin e vërtetë për marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Shumë investitorë turq po vijojnë investimet e tyre ne shtetin shqiptar. Ne kemi vullnet të përbashkët për të shtuar edhe më tepër investimet turke në Shqipëri dhe synojmë që investimet turke në Shqipëri ta kalojnë masën e 1 miliard dollarëve qe jane aktualisht, tha Erdogan.
Kryeministri turk paraprakisht urojë edhe 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Me këtë rast, Berisha e ftoi atë për vizitën për këtë festë. Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, ai tha se |nga 2005 deri më sot investimet turke në Shqipëri janë rritur 9 here.
Kreu i qeverisë shqiptare duke vlerësuar rolin e Turqisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan theksoi se pikëpamjet e Shqipërisë janë identike me ato turke duke pasur këtu parasysh mundësinë e ndryshimit të kufijve.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se shpreh admirimin tim për qëndrimin e kryeministrit Erdogan në çështjen e Sirisë. Dy ditë më parë, Erdogan kritikojë ashpër Këshillin e Sigurimit të OKB-së se po lejon shtytjen e popullit sirian duke mos ndërhyrë. /F.S/
Takimi me Presidentin Gyl
Kryeministri Sali Berisha ndodhet për një vizitë dy ditore në Turqi me ftesë të homologut të tij Taip Erdogan.
Fillimisht Berisha është takuar me presidentin e Turqisë Abdulla Gyl. Kreu i qeverisë Shqiptare pasi i shprehu falënderime presidentit turk për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën, ka informuar atë për reformat e ndërmarra me qëllim integrimin në Bashkimin Evropian.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet vëllazërore mes të dy vendeve e kombeve dhe vullneti i palëkundur i të dy palëve për ti thelluar lidhjet e panumërta të miqësisë mes dy popujve, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Presidenti Gyl e siguroi Kryeministrin Berisha se Turqia do vijojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, presidenti turk e siguroi Kryeministrin Berisha se si president i vendit mik do të vijojë të nxisë investitorët turq për të investuar në Shqipëri. /F.S/