PD: Rama është i bindur edhe vetë se i ka humbur zgjedhjet

Partia Demokratike deklaron dje se Edi Rama gënjen mbi pretendimet e tij përsa i përket manipulimeve që janë bërë me zgjedhjet. Nënkryetari i selisë blu, Astrit Patozi, publikoi një letërkëmbim mes Partisë Socialiste dhe KQZ-së, dokumente që jo vetëm tregojnë humbjen e PS në zgjedhjet e 28 qershorit, por bindin edhe kryetarin Edi Rama për këtë rezultat.
“Sot jam para jush që t’ju jap një provë shumë të rëndësishme për të faktuar atë që e kemi thënë rëndom gjatë këtyre ditëve, se të gjitha pretendimet e Edi Ramës për gjoja probleme dhe parregullsi në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk janë gjë tjetër veçse alibi e përgjegjësisë së tij për humbjen e qartë të Partisë Socialiste”, tha Patozi, duke shtua se Berati dhe shpërndarja e mandateve në këtë qark ka qenë karta më e fortë e Edi Ramës, më shumë se tre javë rresht për të hedhur baltë mbi zgjedhjet.
Por cila është e vërteta e madhe e Beratit? Nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi, deklaroi se komunikimi zyrtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me Partinë Socialiste për këtë çështje, të cilin do t’jua vëmë të gjithëve në dispozicion, e nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe e zhvlerëson tërësisht të gjithë fushatën e tij agresive për të cenuar integritetin e procesit zgjedhor.
“Duke dashur të gjejë gjilpërën në kashtë, PS i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i vërë në dispozicion kasetat filmike të Beratit dhe ky i fundit i është përgjigjur me shumë korrektesë. Por pasi ka marrë disa prej tyre, deri më datën 10 korrik, dhe nuk ka gjetur asnjë fije ku të kapej, pasi gjithçka ka qenë konform ligjit, Edi Rama ka hequr dorë dhe nuk i ka dërguar më njerëzit e tij për të tërhequr kasetat e tjera”, u shpreh Patozi.
Sipas tij, një politikan normal dhe i përgjegjshëm, në një rast të tillë, kur pritshmëria apo shpresa e tij nuk provohet, minimumi që mund të bënte, do të ishte ndërprerja e akuzave dhe sulmeve për institucionet, komisionerët e vet, por edhe për zgjedhjet në përgjithësi.
“Por siç dihet, me Edi Ramën nuk ndodhi kështu. Ai vijoi me më shumë forcë që të thërrasë dhe të pretendojë për parregullsi dhe mandate të grabitura si dhe të mbushë përfaqësitë diplomatike me thashethemin se gjoja disponon pamje filmike të problemeve me zgjedhjet në Berat. Duke ju paraqitur letërkëmbimin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me Partinë Socialiste, ne provojmë edhe një herë se, duke u ngjirur së thirruri për parregullsi dhe probleme me zgjedhjet, Edi Rama ka mashtruar me qëllim të gjithë qytetarët shqiptarë, që votuan të lirë, partnerët tanë ndërkombëtarë, por edhe vetë socialistët, të cilëve po kërkon t’u injektojë me pahir gënjeshtrën që ai nuk është i munduri i madh i 28 qershorit”, vijoi më tej nënkryetari i PD-së.
Këto fakte të reja që Partia Demokratike publikoi dje flasin qartë se e gjithë fushata e tij e pareshtur e shpifjeve paszgjedhore është thjesht dhe vetëm justifikimi i dëshpëruar i fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia për humbjen e Partisë Socialiste në këto zgjedhje.
...