Berisha: Shtetëzoni tokat në Porto Romano
Deklarata e Kryeministrit Berisha, dje, në sallën e Kuvendit adresuar opozitës, ka qenë mjaft e ashpër. Pasi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra në adresë të tij, kreu i qeverisë nuk ka përtuar të kalojë në kundërsulm, duke akuzuar disa deputetë të opozitës për lidhje me krimin dhe aferat korruptive, me shitjen dhe blerjen e pronave. Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar deputetëve të majtë, theksoi se, nëse nuk janë të kapur nga korrupsioni, atëherë ata të paraqesin në Kuvend projektligjin për shtetëzimin e pronave dhe konkretisht për zonën më të përfolur, Porto Romano. "Kjo është opozitë e kapur këmbë e krye nga klane, të cilat kanë marrë goditje dhe janë të pa shpresë. Të kapur këmbë e kokë nga klanet, që kanë ndërtuar parajsën e tyre mbi drogën", është shprehur Berisha. Më pas, ai ka kaluar në akuza konkrete duke përmendur emra të kërkuar nga drejtësia dhe vrasje të pazbardhura, të cilat, sipas tij, një ditë do të dalin në dritën e Diellit. "Jeni të kapur pas shërbimeve që i janë bërë Dondollakut nga korrierët e tij këtu në Parlament, pas agresivitetit dhe lidhjeve me Kadriovskin dhe vizitën në mesnatë te shtëpia e tij, siç deponon ai vete, të kapur këmbë e kokë, pas dhjetëra lejeve të dhëna Delijorgjit, vetëm tri ditë para arrestimit, pas pushimeve në Kretë dhe vendeve të tjera të kryera me paratë e tij, pas vrasjeve me jastëk në hotelet e Spanjës, pas plumbave në qelinë e 313-ës në Tiranë, etj", është shprehur dje në sallën e Kuvendit Kryeministri Sali Berisha. "Por, ka theksuar ai më tej, unë nuk merrem me këto akuza, pasi me to do të merren shqiptarët kur të hedhin votën e tyre". Të gjitha akuzat e bëra nga opozita ndaj Fazliçit, për blerje pronash të paluajtshme në gjurmët ku do të ndërtohet termocentrali në Porto Romano, Kryeministri Berisha i ka quajtur vetëm mashtrime dhe trillime të opozitës. "Keni ngritur shpifjen dhe trillimin se Fazliç ka blerë tokë te njollat e termocentraleve. Unë kam këtu propozimin konkret. Sillni nismën ligjore për shtetëzimin dhe ju jap fjalën e nderit se do të shtetëzoj çdo centimetër tokë në atë zonë. Unë jam kundër shtetëzimeve, por bëjeni ju nismën, nëse jua mban dhe mos lehni si kone, mos u keqpërdorni, por sillni ligjin. Megjithatë, e di se nuk iu lënë, ngaqë jeni ju të përzier aty të gjithë. Ju jeni hajdutët e tokave që keni shitur aty", është shprehur kreu i qeverisë. Duke ritheksuar faktin se Kryeministri është kundër çdo shtetëzimi, por me kërkesë të opozitës do të shtetëzojë çdo centimetër tokë në Porto Romano, Berisha ka deklaruar edhe njëherë se opozita nuk guxon ta hedhë këtë hap, pasi është e kapur dhe e skllavëruar nga zinxhirët e mafies. Duke iu drejtuar shqiptarëve, Berisha i ka thënë opozitës se ata do të dinë t‘u japin atë që meritojnë, si në rastin "Trebicka". Duke e vlerësuar opozitën si të dobët, Berisha ka theksuar se "s‘ka mjerim më të madh për opozitën që merren prej muajsh me trillime dhe mashtrime. Ju jeni një opozitë shterpë, sterile pa kokrra, jeni opozitë e kastruar".