Trebicka, Ina Rama mbështet prokurorët e Korçës
Kryeprokurorja Ina Rama ka miratuar vendimin e prokurorëve të Korçës për mbylljen e hetimeve për dosjen "Trebicka". Burime zyrtare nga organi akuzës pohuan se konkluzioni i hetuesve të çështjes ishte përfundimtar dhe nëse ka ndonjë ankesë nga të interesuarit çështja mund të rihapet për verifikime. Burimet nga akuza qendrore thanë dje se i përmbahen raportit të Prokurorisë së Korçës për pushimin e çështjes, pasi ka rezultuar se aksidenti ka ardhur si pasojë e veprimeve të vetë drejtuesit të mjetit, gjë që ka rrëzuar veprën penale dhe si rrjedhojë ka çuar në pushimin e hetimeve, duke mos pasur elementë të një vepre të tillë. Prokuroria ka konkluduar pas shqyrtimit të dosjes së plotësuar me të gjitha procesverbalet dhe akt-ekspertimet se Kosta Trebika ka vdekur si pasojë e aksidentit, për shkak të veprimeve të tij në drejtimin e mjetit, që ka devijuar nga rruga dhe kthimit të menjëhershëm të timonit në një kohë që ka pasur ndërhyrje dhe modifikime të kryera në mjet dhe janë marrë parasysh edhe kushtet e terrenit dhe të pjerrësisë. Burime nga akuza qendrore thanë dje se hetuesit e çështjes janë konsultuar edhe me Kryeprokuroren për të arritur në përfundimin se nga aktet e ekspertimit, tre prej të cilave, më të rëndësishmet, ato të ekspertimit autoteknik të mjetit, të dinamikës së aksidentit dhe aktit përfundimtar të konkluzionit mjekoligjor kanë konkluduar se ngjarja ndodhi si pasojë e një aksidenti me mjetin që drejtonte Kosta Trebicka. Trebicka ka vdekur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit, nëpërmjet veprimeve të tij gjatë drejtimit të mjetit. Si rrjedhojë, duke qenë se është vetë autori edhe viktimë e ngjarjes, nuk ka një vepër penale, prandaj Prokuroria e Korçës ka vendosur të pushojë hetimet mbi çështjen.