Opozita: Fazliçi, morali i kësaj mazhorance
Çështja "Fazliç" dhe përplasja e institucioneve të krijuara për shkak të tij, kanë qenë në qendër të deklaratave të deputetëve të opozitës. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, deputeti Taulant Balla dhe deputetja Arta Dade, gjatë diskutimit të tyre në Kuvend kanë theksuar se Fazliç qenka shumë herë më i rëndësishëm se vetë morali politik i kësaj mazhorance, e cila po e mbron me çdo çmim. "Një mbrojtje që, para se gjithash, po bëhet në kundërshtim me ligjin në moralin e një shoqërie normale, një mbrojtje që bëhet duke sulmuar egër dhe me të gjitha mjetet Prokurorinë e Përgjithshme dhe duke krijuar një precedent tjetër të përplasjes së institucioneve", është shprehur Leskaj, në fjalën e saj. Ky sulm, sipas Leskajt, vjen një vit pas zgjedhjes së Kryeprokurores së re, por, shton ajo, "Kryeministri e ka provuar se e ka të vështirë bashkëjetesën me institucionet e pavarura dhe natyrisht ky nuk është rasti i parë". Nuk na shqetëson shumë mbrojtja e Fazliçit nga Kryeministri, pasi tashmë lidhja e tyre dihet, por, tha Leskaj, ne si opozitë ajo që na shqetëson është fakti kur mazhoranca bëhet në kor kundër institucioneve të pavarura, pasi vendi rrezikon të shkasë në diktaturë". Të njëjtën linjë diskutimi si Leskaj, ka ndjekur edhe deputeti Taulant Balla, i cili, pasi ka theksuar se kjo mazhoranca dhe Kryeministri duhet të japin llogari për korrupsionin masiv, i cili shkon në vlerën e dhjetëra milionë eurosh, siç janë vjedhjet e rrugës Durrës-Kukës, pazaret e Fazliç, pa harruar edhe tragjedinë e Gërdecit. "Por drejtësia dhe prokuroria shqiptare nuk mund të sfidohet dhe të anashkalohet më nga askush. Nëse Sali Berisha pretendon se është i pastër nga Fazliçi, ai duhet të heqë dorë nga presioni kundër Prokurorisë", tha Balla. Kritike dhe e ashpër në fjalën e saj ka qenë edhe deputetja Arta Dade, e cila ka theksuar se "Damir Fazliç dhe rrethi i interesave të dukshme dhe të padukshme që ai përfaqëson, po thellon pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj qeverisë së tyre, por edhe vazhdon të dëmtojë pozitën e vendit dhe imazhin e tij ndërkombëtar". "Jam e shqetësuar, tha Dade, për përmasat që kriza institucionale e fundit po merr dhe për pasojat që ajo mund të ketë në të ardhmen e afërt, në perspektivën e zhvillimeve politike e elektorale. Qeveria shqiptare duhet ta dijë se ndodhet nën një monitorim të përditshëm dhe të kujdesshëm. Reagimet e fundit e tregojnë qartë këtë, por ato tregojnë edhe shqetësimin në rritje të faktorit ndërkombëtar, lidhur me shkallën e korrupsionit, arrogancën dhe paaftësinë e qëllimshme të qeverisë për të krijuar, dhe respektuar standardet e një shteti demokratik dhe të ngritur mbi forcën e ligjit". Duke kritikuar qeverisjen dhe heshtjen e drejtuesve të saj, Dade tha se "në vend që shtetarët tanë të shëtisin botën në boshllëk, pa arritur asnjë rezultat, por vetëm duke prodhuar lajme për mediat servile, si lajmi i mbrëmshëm i takimit me Kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, të cilit iu pre rruga kur po kalonte në korridoret e parlamentit dhe iu servir opinionit publik si takim zyrtar ata duhen të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht për t‘u distancuar nga përfshirja e tyre në skandale të tipit Fazliç, që padyshim ngrihen edhe në nivele diplomatike".